Sesioni parlamentar u mbyll, por duket se përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës sa i takon procesit të vettingut do të vazhdojnë në distancë. Ai që e hapi “lojën” e akuzave dhe kundërakuzave përmes rrjeteve sociale këtë fundjavë ishte Kryeministri Edi Rama.
Postoi të shtunën në Facebook e Twitter një reagim të shkurtër si kundërpërgjigje ndaj opozitës për akuzat që ajo hedh se “vettingu po zbaton standarde të dyfishta dhe se ky proces është i kapur nga Kryeministri”.
“Vetingu vijon të godasë me sukses në kokë oktapodhin e korrupsionit degjenerues në drejtësi. Po për fatkeqësinë e zgjedhësve të saj që e mbështesin Vetingun, njësoj si gjithë qytetarët, e për turpin e saj më të madh, opozita hidhet përpjetë pas çdo goditje”, shkruan Edi Rama.
Lulzim Basha iu përgjigj thuajse tre orë më vonë. Edhe ai foli për një “oktapod” që ka shtrirë tentakulat e tij në gjithë sistemin e drejtësisë.
“Edi Rama është Koka e Oktapodit të Drejtësisë që mbron dhe nuk ndëshkon politikanët e korruptuar e të lidhur me krimin. Për të mbrojtur Tahirin, Xhafën, Roshin, Frrokun, Dakon, Sejdinin, Ahmetajn dhe Gjiknurin me shokë, Edi Rama kapi Prokurorin e Përgjithshëm dhe zhduku Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Tani Edi Rama po mbron nga vetingu gjyqtarët e korruptuar si Toska, Dvorani dhe Faqolli, si shpërblim për dosjet që mbyllën dhe si kapar për dosjet që duhen mbyllur. Sa herë PD denoncon me fakte konfirmimin në detyrë në kundërshtim me ligjin e Vettingut të shërbëtorit të Edi Ramës në Gjykatën e Lartë, Ardian Dvorani, Edi Rama, reagon me akuza të dala boje kundër opozitës”, shkruan ndër të tjera kreu i PD.
Opozita nuk e mbylli me kaq fundjavën. Të dielën, deputeti Gent Strazimiri doli me një deklaratë të shkurtër për shtyp ku u ngriti disa pyetje organeve të vettingut për gjyqtarin Ardian Dvorani, që thotë se është marrë në mbrojtje nga Edi Rama për të kaluar në heshtje faktet që provojnë se ai duhej shkjarkuar.
“A ka qenë Ardian Dvorani ndërmjetës i Agron Xhafajt për të vendosur mosekstradimin në Itali të Gramos Muratajt?”, ishte pyetja e parë që drejtoi Strazimiri.
Gramos Murataj kërkohej nga autoritetet italiane si pjesëmarrës në një organizatë ndërkombëtare të trafikut të lëndëve narkotike, që PD thotë se është e njëjta ku bënte pjesë Agron Xhafaj, vëllai i Fatmir Xhafajt. Për të, Gjykata e Apelit në Vlorë vendosi ekstradimin, por Gjykata e Lartë, me vendimin e dhënë në janar të 2014 e rrëzoi duke mos lejuar ekstradimin e tij.
Ardian Dvorani nuk ka qenë pjesë e Kolegjit Penal që ka shqyrtuar çështjen e Gramos Muratajt, por opozita thotë se ai ka qenë ndërmjetësuesi tek trupa gjykuese për të rrëzuar vendimin e Gjykatës së Apelit, ndaj Strazimiri ngre të tjera pyetje për organet e vettingut.
“A ka kontaktuar Agron Xhafaj dhe Fatmir Xhafaj me Ardian Dvoranin gjatë kësaj periudhe”, tha ai.
Partia Demokratik e lidh emrin e gjyqtarit Ardian Dvorani edhe me një tjetër çështje.
“U konfirmua në detyrë duke patur në dosje edhe shërbimin që i bëri Edi Ramës me vendimin e tij lidhur me çështjen e sekuestrimit të pasurive të paligjshme të baronit të drogës, Klement Balili”, u shpreh Strazimiri.
Ardian Dvorani ka qenë pjesë e trupës gjykuese me pesë anëtarë në Kolegjet Administrative të Gjykatës së Lartë që në mars të këtij viti rrëzoi urdhrin e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako për heqjen e licencave të kompanive e policive private në pronësi të Balilëve.
Veç këtyre, PD thotë se Dvorani ka edhe probleme të tjera për të cilat duhej shkarkuar, si mosjustifikimin e 100 milionë lekëve, blerjen e tre shtëpive në konflikt interesi, moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mbarimin e mandatit dhe e shkuara si prokuror në periudhën e regjimit komunist.
“Pëe këto dhe për dënimin e shkodranëve në dhjetor ‘90 për rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës, si prokuror i çështjes provojnë qartë se për shërbëtorin e Edi Ramës, Ardian Dvorani, organet e vettingut kanë realizuar një proces farsë. Heshtja e shërbëtorit dhe e tutorit të tij politik, heshtja e organeve të vettingut për këto fakte, veçse e rrënon besimin e qytetarëve tek procesi i vetingut, i cili po mban në sistem gjyqtarë të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar”, thotë PD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.