Banka Botërore parashikon se Shqipëria këtë vit do të tkurret me 5 %, e cila është tkurrja ekonomike e dytë më e madhe në rajon pas Malit të zi (-5,6%). Ndërsa rajoni i Ballkanit Perëndimor pritet të tkurret 3,1 % gjatë vitit që jemi.

Në raportin për zhvillimet ekonomike të pranverës 2020, Banka Botërore analizon tablon ekonomike të Shqipërisë pas dy goditjeve të njëpasnjëshme me pasoja shkatërruese si tërmeti i Nëntorit 2019 dhe pandemia COVID-19 që ka ngrirë një pjesë të madhe të ekonomisë.
Për Bankën Botërore përpos krizave post-tërmet dhe Covid-19 mbeten rrezik eminent fiskal PPP-të dhe ndërmarrjet shtetërore të energjisë.
Banka Botërore në raport citon se: “Varësia nga turizmi, lidhjet e ngushta me ekonominë italiane të prekur ndjeshëm nga pandemia dhe hapësira e kufizuar fiskale e bëjnë Shqipërinë veçanërisht të ndjeshme ndaj krizës së COVID-19.”
Raporti parashikon që, edhe sipas skenarit bazë, në të cilin supozohet se shumica e aktiviteteve ekonomike mund të rinisin në fillim të verës, rritja vjetore e PBB-së pritet të tkurret me 5 përqind në vitin 2020.
Recesioni dhe masat mbështetëse ekonomike parashikohet të zgjerojnë deficitin fiskal në 5.4 të PBB-së në vitin 2020, duke e rritur borxhin e qeverisë deri në 75.8 përqind të PBB-së.
Pasi të tejkalohet kriza, normalizimi i aktivitetit ekonomik dhe procesi i rindërtimit për zbutjen e pasojave të tërmetit pritet të mbështesin një rritje të shpejtë, por në planin afatmesëm nevojiten reformat strukturore.
Për shkak se kriza COVID-19 është e paprecedentë, parashikimi shoqërohet me një nivel të pazakonshëm dhe të lartë pasigurie.
“Shqipëria hyri në periudhën e krizës me pak hapësirë për të vepruar nëpërmjet politikës fiskale dhe monetare. Megjithë një rënie graduale të borxhit publik dhe konfirmimit të vlerësimit të S&P në B + në Shkurt, borxhi publik, i cili në fund të 2019-s arriti në 68 përqind të PBB-së, është ende i lartë. Gjithashtu të larta janë dhe detyrimet potenciale dhe rreziqet fiskale nga partneritetet publike-private dhe ndërmarrjet shtetërore të energjisë. Për më tepër, me uljen e normës bazë të interesit në 0.5 përqind në mars 2020 në pergjigje të pandemisë, hapësirat për një politikë më konvencionale monetare janë shumë të kufizuara.”- thotë Banka Botërore.
Raporti citon se bankat janë të mirëkapitalizuara, me likuidet të lartë dhe kryesisht financohen nga depozitat.
Për kreditë me probleme (NPL) raporti citon se janë zvogëluar përmes nxjerrjes së detyruar jashtë bilancit, shitjeve dhe zgjidhjes jashtëgjyqësore të tyre. Pas ndërhyrjes së bankës qendrore për të adresuar mbizotërimin e euros në transaksionet e brendshme, pjesa e kredive në valutë në totalin e kredive ra nga 60 përqind në 2015 në 50.1 përqind në vitin 2019. Depozitat në valutë, të cilat në një farë mase reflektojnë nivelin relativisht të lartë të remitancave, u rritën në 54.6 përqind të totalit të depozitave.
Deficiti i llogarisë rrjedhëse (CAD) ishte i madh që para fillimit të krizës, por ishte i mbrojtur nga rezervat. CAD u zgjerua nga 6.7 përqind e PBB-së në 2018 në 7.6 përqind në 2019. Pavarësisht nivelit rekord të të ardhurave të larta nga turizmi në 2019, eksportet e ulëta të mallrave dhe energjisë si dhe importet e larta të energjisë çuan në zgjerimin e CAD.
Investimet e huaja direkte (IHD) në Shqipëri ranë në 7.6 përqind të PBB-së për shkak të përfundimit të fazës së investimeve të projekteve të mëdha të transmetimit të energjisë dhe gazit. Rezervat e këmbimit valutor, të cilat janë rritur në mënyrë të qëndrueshme për disa vjet, arritën në 3.3 miliardë euro në fund të 2019-s; niveli i tyre mbulon ekuivalentin e më shumë se 6 muaj të importeve të mallrave dhe shërbimeve dhe kjo përbën një mbrojtje adekuate kundër goditjeve të pafavorshme.
Perspektiva dhe Rreziqet
Banka Botërore parashikon se tërmeti i vitit të kaluar dhe pandemia COVID e këtij viti ka të ngjarë ta çojnë Shqipërinë në recesion dhe të nxjerrë në pah dobësitë e saj të jashtme dhe ato fiskale.
“Paketa e qeverisë prej 160 milion eurosh për rindërtimin pas tërmetit, kryesisht për godina banimi, dhe shpenzimet e sektorit privat pritej të mbështesnin një rritje afatshkurtër të PBB-së të nxitur nga kërkesa e brendshme, siç ka ndodhur përgjithësisht pas katastrofave të ngjashme. Megjithatë, kriza aktuale shëndetësore ka zbehur ndjeshëm perspektivën e rritjes ekonomike të Shqipërisë. Efektet e goditjeve të ofertës dhe kërkesës në ekonomi mund të përkeqësohen në disa raunde. Ekonomia mund të përballet me goditje të ofertës për shkak të ndërprerjeve në zinxhirin global të furnizimit si dhe një rënie të ofertës së punës për shkak të izolimit në karantinë dhe distancimit social.”- citon raporti i pranverës së Bankës Botërore.
Sipas saj, duke pasur parasysh paqartësinë e madhe në lidhje me kohëzgjatjen dhe shkallën e përhapjes së pandemisë, efektet negative në kërkesë mund të shtohen me humbjen e të ardhurave nga puna të punëtorëve, veçanërisht në sektorët më të prekur, si turizmi dhe hoteleria, prodhimi dhe tregtia e artikujve jo jetik. Në rastin e mundshëm të një rënie në të ardhurat e disponueshme, familjet do të konsumonin më pak, veçanërisht për mallra të qëndrueshëm, dhe kjo do të pengonte materialzimin e plotë të efekteve pozitive të rindërtimit. Ndërprerjet e tregtisë dhe sjellja kundërshtuese ndaj rrezikut e investitorëve të huaj ka të ngjarë të shtojnë presionin ndaj vendit.
Raporti vijon më tej; ekspozimi i Shqipërisë ndaj Italisë, vendi më i prekur në BE, është i konsiderueshëm: Italia është destinacion i 47 përqind të eksporteve (kryesisht produkte të industrisë përpunuese) dhe është burimi i 9.7 përqind të IHD-ve të vendit. Me përhapjen e recesionit në të gjithë BE-në, pritet që goditjet e jashtme të jenë më të larta: BE është destinacioni I 94.9 përqind të eksporteve dhe burimi i 44 përqind të IHD-ve të vendit. Për shkak të pasigurisë së lartë të ecurisë së pandemisë COVID-19, për perspektivën e vitit 2020 ne kemi paraqitur dy skenarë. Skenari bazë supozon se përhapja e pandemisë në Europë fillon të ngadalësohet me ritme të tilla që masat kufizuese mund të hiqen plotësisht deri në fund të qershorit dhe aktiviteti normal ekonomik të rifillojë në Gjashtëmujorin e dytë 2020. Në skenarin negativ, supozohet se përhapja e pandemisë vijon me ritme tilla që masat kufizuese nuk mund të hiqen deri në fund të gushtit.
Të ardhurat nga turizmi janë vetëm rreth 15 përqind e PBB-së, por me efektet indirekte të lidhura me ndërtimin, punësimin dhe industri të tjera, turizmi është përgjegjës për rreth 26 përqind të PBB-së. Turizmi është shumë sezonal dhe siguron pjesën më të madhe të të ardhurave në T3, kështu që vendit do t’i duhej të mbështetej në aftësinë e pronarëve të objekteve për të kryer rindërtimin pas tërmetit, por kjo pritet të vonohet për shkak të izolimit. Nëse masat kufizuese kundër COVID hiqen deri në fund të qershorit, atëherë në kombinim dhe me efektet e tërmetit, parashikimi për turizmin pritet të ulet me një të tretën.
Industria nxjerrëse e Shqipërisë do të pësojë gjithashtu goditje të fortë nga një rënie e kërkesës globale, e cila mund të vihet re nga çmimet më të ulëta të mallrave në përgjithësi dhe nga një rënie të vazhdueshme e çmimeve të naftës, duke shkaktuar pasoja të mëdha fiskale dhe ekonomike.
Sipas parashikimeve të skenarit bazë, Shqipëria do të kalojë në recesion në vitin 2020. Norma e rritjes ekonomike të vendit pritej të rikthehej në nivelin 3.4 përqind për shkak të rindërtimit dhe rikthimit në nivelet normale të prodhimit të energjisë, por kostot e COVID-19 dhe kufizimet e lidhura me të parashikohet të tkurrin PBB-në me 5 përqind
Eksportet totale reale parashikohet të bien me 25 përqind, për shkak të rënies së aktivitetit në turizëm, industrinë nxjerrëse dhe përpunuese; importet parashikohet të bien me 9.5 përqind. Tkurrja e aktivitetit ekonomik dhe rritja e pasigurisë do të zvogëlojnë gjithashtu investimet private dhe konsumin.
Në vitin 2021, rritja ekonomike pritet të jetë sërish pozitive duke arritur në rreth 8.8 përqind, për shkak të efekteve të bazës së ulët krahasuesë të eksporteve, konsumit dhe investimeve. Rënia e vlerësuar e të ardhurave do të çojë në çekuilibrime të larta fiskale në vitin 2020. Nivelet më të larta të shpenzimeve për rindërtimin dhe shëndetin, papunësinë dhe përfitimet e mbrojtjes sociale për shkak të krizës do të rrisin raportin e shpenzimeve ndaj PBB-së nga 29.7 përqind në 2019 në 32.4 përqind. Kjo rritje, e kombinuar me një rënie të madhe të të ardhurave tatimore nga 25.7 përqind në 24.2 përqind të PBB-së, do të zgjerojë deficitin fiskal në 5.4 përqind të PBB-së. Nivelet shumë më të ulëta të të ardhurave dhe shtrëngimi i kushteve të financimit mund të imponojnë shkurtime në shpenzime. Raporti i borxhit ndaj PBB-së parashikohet të rritet në 75.8 përqind.
Sipas skenarit negativ, Shqipëria duhet të përballet me një recesion më të ashpër ku PBB-ja tkurret me gati 7 përqind. Një periudhë më e gjatë e ndërprerjes dhe reduktimit të aktiviteteve dhe një tkurrje më e mprehtë e prodhimit dhe eksporteve të industrisë nxjerrëse pritet të rezultojnë në goditje më të forta të kërkesës së brendshme. Sipas këtij skenari, konsumi tkurret në masë më të madhe, me rreth 2.2 përqind në vitin 2020, për shkak të rënies më të madhe të punësimit dhe pagave dhe vijimit të masave të kufizimit të tregtisë me pakicë të artikujvë jo jetik. Problemet me likuiditetin do të shtojnë pengesat për investimet private. Në krahasim me skenarin bazë perspektivat e rritjes afatmesme do të zbeheshin, me rritje të papunësisë dhe përkeqësim të shëndetit financiar të bizneseve.
Sipas skenarit negativ, disbalancat e brendshme dhe të jashtme do të përkeqësoheshin akoma më shumë. Rënia e konsiderueshme e të ardhurave do të përkeqësonte deficitin fiskal, duke arritur në 6.0 përqind të PBB-së, dhe do të rriste borxhin publik dhe të garantuar deri në 77.5 përqind të PBB-së. Duke pasur parasysh pasigurinë në lidhje me ecurinë e pandemisë dhe mundësinë e një valë të dytë të saj, perspektiva është objekt i rreziqeve të konsiderueshme.
Duke iu referuar paketave të masave mbështetëse të qevrisë shqiptare, Banka Botërore thotë se, këto paketa do të mbrojnë disa pjesë të sektorit privat nga humbjet, por për të maksimizuar efektivitetin e masave, duhet të adresohen disa sfida të projektimit dhe ekzekutimit të tyre.
Banka Botërore sugjeron se autoritetet gjithashtu duhet të mendojnë për një strategji të daljes përfundimtare nga kriza:
• Në një fazë të parë, ristrukturimi i kredisë dhe fondi i garancisë mund të kenë një përdorim tëckufizuar, pasi bizneset mund të mos kenë shëndetin financiar dhe stimujt e duhur për të shmangur shkurtimet e vendeve të punës.
• Masat mund të jenë gjithashtu të nevojshme dhe për bizneset në sektorë që nuk preken drejtpërdrejt, por që vuajnë nga ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit. Madhësia e sektorit informal gjithashtu sugjeron që shumë individë të prekur nuk do të përfitonin nga masat mbrojtëse të sektorit formal.
• Ndërsa reagimi ndaj epidemisë është çështje urgjente, rindërtimi pas tërmetit nuk duhet të anashkalohet. Ndërsa pandemia ka ndalur përkohësisht shumë projekte rindërtimi, është thelbësore të vazhdohet atje ku është e sigurt për ta bërë këtë. Këto projekte gjithashtu mund të likuiditetin e biznesit dhe mbështetjen e familjeve të prekura.
Për të përshpejtuar rimëkëmbjen ekonomike dhe për të ruajtur ritme më të shpejta të rritjes afatmesme, Banka Botërore sugjeron se Shqipëria duhet të adresojë si disbalancat fiskale dhe problemin e produktivitetit.
“Megjithëse ekstreme, goditjet e kombinuara të epidemisë dhe tërmetit nënvizojnë rëndësinë e përmirësimit të fleksibilitetit të forcimit të ekuilibrave makroekonomikë dhe rritjes së sektorit privat. Sfidat shtesë lidhen me përdorimin e qëndrueshëm të mjedisit dhe menaxhimin e zhvendosjeve nga zonat rurale në ato urbane. Reformat strukturore për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe adresimin e fushave të tjera që janë pengesa për rritje të qëndrueshme dhe më të lartë ekonomike do të ndihmojnë gjithashtu në rritjen e fleksibilitetit të ekonomisë.”- përfundon raporti për Shqipërinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




