“Deri në daljen e vaksinës normaliteti ynë i ri nuk do të ngjajë me atë që kishim më parë…”, thotë kryeministri Edi Rama përmes një video-mesazhi në Facebook. “Ne do të përdorim një taktikë të coptimit të valës së armikut në fazën e dytë. Do të hapemi me kujdes dhe do të hapemi kudo, por jo kudo njësoj dhe njëkohësisht”, tha Rama. Nga fillimi i javës tjetër, masat e reja që do të aplikohen nuk do të jenë unifome si në zonat me risk të ulët dhe aty me risk të lartë.
“Përshembull në Gjirokastër apo Dibër ku risku është sot për sot shumë i ulët mund të kemi më shumë lehtësim. Në Krujë asnjë lehtësim. Apo në qytete si Tirana e Durrësi që kanë intensitet popullate do të ketë një lehtësim të moderuar. Këto zona mund të variojnë në bazë të dinamikës së luftës së shifrave dhe sjelljes së qytetarëve në raport me rregullat. Kjo qasje do na mësojë gjatë majit e do na garantojë hapje shumë të sigurt që mos kthehemi mbrapsht se u rrit shpejt kudo efekti i valës goditëse e nga ana tjetër, edhe fashat orare s’kanë pse të jenë të njëjta në zonat me risk të ulët apo ato me risk të lartë”.
Ai shpjegoi edhe protokollet e sigurisë për biznesin.
“Sot nuk shkohet më në punë si deri dje për të hap dyqanin e për të bërë lekë, mos i hapni dyert e mos i ngrini qepenat pa marrë vërtetimin që biznesi juaj mund të punojë dhe protokollin e sigurisë shëndetësore…”, tha ai. Për këtë cështje, do të ngrihet edhe një Task-Force që do të kontrolloje bizneset që do të hapen. Në rast shkeljesh, masat, sipas tij, do të variojnë nga gjobat deri edhe në burgim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



