Rend dhe Ligj

Gjobiten 41 shoferë dhe 262 qytetarë

Policia njofton se vazhdon të marrë masa ndaj atyre personave që nuk respektojnë ligjet për masat ndaj Covid-19. Policia e Shtetit ka ndëshkuar në 24 orët e fundit 41 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim-qarkullimit si dhe gjobitur 262 shtetas, të cilët lëviznin pa leje dhe arsye emergjence.

Ndërkohë, në Tiranë janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas, E. Q. dhe R. B., pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse të drejtimit dhe A. G., banues në Tiranë, pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe pa autorizim lëvizjeje, duke i paraqitur punonjësve të Policisë mjetin e identifikimit të një shtetasi tjetër.

Ndërkohë, në Durrës janë arrestuar në flagrancë, për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Goditje për shkak të detyrës”, shtetasit O. P. dhe M. P., pasi kur punonjësit e Policisë u kanë kërkuar autorizimin e lëvizjes, të cilin ata nuk e kishin, dhe më pas mjetin identifikues për plotësimin e masës administrative, këta shtetas nuk kanë pranuar dhe i kanë fyer dhe kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.

Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 2 shtetas, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.

Në Lushnje është gjobitur me masë administrative 700.000 lekë, shtetasi O. A., pasi ka ardhur nga një vend i prekur nga COVID-19 dhe ka shkelur rregullat e vetëkarantinimit, duke dalë jashtë ambienteve të banesës.

Në Kukës është proceduar penalisht shtetasi D. K., banues në Bajram Curri, pasi në këtë qytet u konstatua i hapur lokali i tij, i cili ishte i papajisur me NIPT. Në të gjithë vendin janë konstatuar 5 lokale të hapura dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë