Ka pasur shumë paqartësi të qytetarëve për mundësitë e lëvizjes gjatë ditëve të fundit, pasi hynë në fuqi masat për ndalimin e qarkullimit të automjeteve. Për këtë, mjafton t’u hedhësh një sy komenteve të qytetarëve në faqen në Facebook të Policisë së Shtetit.



Vetëm gjatë trazirave të vitit 1997, Shqipëria ka përjetuar kufizime të tilla, që kanë të bëjnë me përditshmërinë e të gjithëve. Kuvendi i Shqipërisë miratoi më 2 mars 1997, ligjin që përcaktonte se gjatë gjendjes së jashtëzakonshme “kufizohen plotësisht të drejtat dhe liritë kushtetuese” dhe specifikisht, sipas neneve 6 dhe 7, e drejta e organizimit, e drejta për tubim, e drejta e lëvizjes, liria sindikale dhe e drejta për grevë”. Ashtu si edhe tani, situata e jashtëzakonshme ku ndodhej vendi, kërkonte masa drastike të jashtëzakonshme.

Në Itali nuk ka ndalim të këmbësorëve, apo të të shëtiturit. Deri më tani, nuk ka asnjë dispozitë në asnjë prej dekreteve të nënshkruar nga Ministria italiane e Shëndetësisë ose nga qeveria, të vlefshme deri më 25 mars. Ata që largohen nga shtëpia për të marrë ajër dhe për të shfryrë tensionin e izolimit në shtëpi, apo duhanpirësit që dalin për të blerë cigare, apo ata që nxjerrin qenin të bëjë nevojat personale, nuk i nënshtrohen ndonjë ndëshkimi. Ka pasur në fakt shumë konfuzion se çfarë lejohej dhe çfarë jo në Itali, por zyrtarë të Ministrisë së Brendshme italiane, u janë përgjigjur të gjitha pyetjeve të qytetarëve. Gjithashtu edhe Mbrojtja Civile, kur u pyet, shpjegoi se nuk ka “ndalim për këmbësorët”, por një ftesë të fortë për të qëndruar në shtëpi.

Në faqen e internetit të Kryeministrit italian ka një seksion me “pyetje të shpeshta”. Ndër të tjera, në të thuhet “Duhet të shmangësh largimin nga shtëpia”. Duhet të shmanget, por nuk ndalohet. Gjithashtu në urdhëresën e Ministrisë së Brendshme, të ndarë në 12 pika, thuhet: “Nuk mund të dilni nga shtëpia, përveçse për arsye të vlefshme”. Dhe ekzistojnë katër arsye të vlefshme: punë, domosdoshmëri (pazar ose farmaci), shëndet dhe kthimi në shtëpinë e dikujt.
Sidoqoftë, në pikën 10 thuhet qartë se ekziston, përshembull, një ndalim përsa i përket aktivitetit fizik në natyrë: “Sportet dhe aktivitetet fizike që kryhen në hapësira të hapura lejohen në përputhje me distancën ndërnjerëzore prej një metri. Duhet të shmangim tubimet”.
Në të gjitha këto raste, vetëdeklarimi që tregon lëvizjen duhet të bartet gjithmonë me vete: “nga cili vend vij”, “në cilin vend po shkoj”. Ata që shkojnë në këmbë duhet ta kenë gjithnjë me vete. Nëse një person nuk e ka, të gjitha forcat e policisë janë të pajisura me formularë të tillë për t’ia dhënë personit në fjalë, i cili do të duhet ta plotësojë atë menjëherë.
Por edhe pse e gjithë Europa ka kufizuar në maksimum qarkullimin e qytetarëve, asnjë prej vendeve europiane nuk ka ndaluar totalisht (deri tani) daljen e kalimtarëve pas ndonjë në orari të caktuar.
Në Itali, epiqendrën e shpërthimit në Europë, qytetarëve u lejohet të dalin vetëm nëse kanë me vete vetëdeklarimin e arsyes pse po lëvizin (për të blerë ushqime apo medikamente), apo nëse kanë një letër nga punëdhënësit. Gjithçka më pas, në rast se ndalohesh në rrugë nga patrullat epolicisë, verifikohet saktësisht prej këtyre të fundit. Në zonat më të prekura, qytetarët ndalohen nga policia ose ushtria dhe urdhërohen të kthehen në shtëpi sapo të mbarojnë së bleri produktet e nevojshme. Shumica e qytetarëve po punojnë nga shtëpia dhe vetëm nëpunësit në pozicione kyçe janë lejuar të shkojnë në vendet e punës. Megjithatë kontrollet drastike, rritja e numrit të të infektuarve dhe ndalimi i qarkullimit të mjeteve ka bërë që rrugët të jenë të zbrazura në të gjithë Italinë.

Të njëjtat masa janë marrë edhe të shtunën nga qeveria spanjolle, e cila urdhëroi po ashtu kufizimin e lëvizjes së qytetarëve duke e futur të gjithë vendin në karantinë. Të dielën, numri i rasteve të Covid-19 në Spanjë ishte 7,753, me 288 viktima. Një javë më parë, Spanja kishte vetëm 589 raste të konfirmuara dhe 10 të vdekur.
Duke marrë përsipër masat e marra nga Italia, qeveria spanjolle shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, duke urdhëruar mbylljen e të gjitha dyqaneve jo thelbësore, si dhe bareve, restoranteve, kafeneve dhe kinemave.
Edhe në Spanjë, banorët janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi dhe lejohen të blejnë vetëm ushqime dhe ilaçe ose të udhëtojnë për në punë, qendra shëndetësore ose banka. Udhëtimi lejohet gjithashtu për ata që kujdesen për të moshuarit. Të dielën Madridi ishte i zbrazur ashtu si shumë kryeqytete europiane.

Ajo që ka miratuar masa më të ashpra, duke ndaluar plotësisht lëvizjen e qytetarëve, ishte Kina, e cila nuk lejoi askënd të dilte nga shtëpia në Wuhan për tre javë rresht. Partia Komuniste e Kinës detyroi rreth 500 milionë njerëz të painfektuar të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi. Atje ku shumë qeveri të tjera dështuan në skenare të ngjashëm të mëparshëm të epidemive të tilla, qeveria kineze pati sukses; duke nisur përshembull që nga furnizimi me ushqime që ishte i përditshëm. Gjithçka qytetarit i mundësohej t’i shkonte në shtëpi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




