Pacientët e konfirmuar ose të dyshuar me COVID-19 mund të përjetojnë frikë nga pasojat e infeksionit dhe ata që janë në karantinë mund të përjetojnë mërzitje, vetmi dhe zemërim. Për më tepër, simptomat e infeksionit, të tilla si ethe dhe kollë, si dhe efekte të dëmshme të trajtimit, të tilla si pagjumësia e shkaktuar nga medikamentet, mund të bëjnë që ankthi dhe shëndeti mendor të përkeqësohet. Gjithashtu edhe njerëzit e tjerë janë gjatë gjithë kohës në ankth.
Profesionistë kinezë të shëndetit mendor, në një artikull në revistën mjekësore “The Lancet”, shprehen se Covid-19, si cdo sëmundje, mund të lërë pasoja tek të gjithë njerëzit, qofshin këta mjekët që ndodhen në karantinë, personat që nuk janë të prekur, personat që mbartin virusin e deri tek fëmijët e vegjël që nuk e kuptojnë ende plotësisht sëmundjen.
“Punëtorët shëndetësorë në një spital të Pekinit të cilët ishin në karantinë dhe punonin në ambiente klinike me rrezik të lartë në kohën kur shpërtheu virusi i SARS-it, ose kishin familjarë dhe miq të cilët ishin të infektuar me SARS, kanë kaluar më shumë simptoma të stresit post-traumatik sesa qytetarët e tjerë,” shkruhet në artikull.

Duke nisur nga këto eksperienca të mëparshme mjekët theksojnë se kujdesi për shëndetin mendor duhet të fillojë urgjentisht. Ata kanë shpjeguar disa metoda që janë përdorur në Kinë, gjatë shpërthimit të koronavirusit të ri.
Mjekët fillimisht theksojnë se, skuadrat multidisiplinare të shëndetit mendor të krijuara nga autoritetet shëndetësore në nivele rajonale dhe kombëtare (përfshirë psikiatër, infermierë psikiatrikë, psikologë klinikë dhe punonjës të tjerë të shëndetit mendor) duhet të ofrojnë mbështetje të shëndetit mendor për pacientët dhe punonjësit e shëndetit. Trajtimet e specializuara psikiatrike, shërbimet dhe pajisjet e duhura të shëndetit mendor duhet të ofrohen për pacientët me çrregullime mendore shoqëruese.
Më tej mjekët kanë shpjeguar se të gjithë duhet të jenë të informuar mbi gjithçka që ka të bëjë mbi virusin, që nga planet e trajtimit, raportet shëndetësore për çdo pacient dhe duhet të vendosen shërbime të sigurta për të ofruar këshilla psikologjike duke përdorur pajisje elektronike dhe aplikacione për pacientët e prekur, si dhe familjet e tyre dhe të gjithë njerëzit e tjerë. Sipas mjekëve përdorimi i këtyre metodave do të ulë jashtë mase dozat e panikut.

Ndër të tjera shpjegohet se pacientët e dyshuar dhe të diagnostikuar COVID-19 si dhe profesionistë të shëndetit që punojnë në spitale që kujdesen për pacientë të infektuar, duhet të marrin kontrollim të rregullt klinik për depresion dhe ankthin. Gjithashtu, trajtimet psikiatrike në kohë duhet të sigurohen për ata që paraqesin probleme më të rënda të shëndetit mendor. Për shumicën e këtyre pacientëve dhe punonjësve shëndetësorë, përgjigjet emocionale janë pjesë e një përgjigje adaptive ndaj stresit të jashtëzakonshëm dhe teknikave të psikoterapisë.
Në çdo fatkeqësi biologjike, temat e frikës, pasigurisë dhe stigmatizimit janë të zakonshme dhe mund të veprojnë si pengesa për jetën normale. Bazuar në përvojën nga shpërthimet e koronvirusit të ri në rang global dhe ndikimi psiko-social i epidemive virale, mjekët e cilësojnë shëndetin mendor si tepër të rëndësishëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



