Ngjarje

Masa drastike në gjithë vendin. Kufizohen lëvizjet në lokale dhe sportele publike, Rama: Është luftë

Qeveria ka ashpërsuar masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, që Kryeministri Edi Rama e cilësoi një armik të përbashkët që nuk duhet nënvlerësuar.

“Kjo epidemi që ka kapacitetin të marrë jetë njerëzish është një armik dhe ne do bëjmë gjithçka që ta përballojmë si një armik dhe ta vrasim si një armik. Çfarë mund të jetë tjetër veçse luftë nëse në Itali do të qëndrojnë hapur vetëm ushqimoret dhe farmacitë? Por që mos të vijë puna tek farmacitë dhe ushqimoret si të vetmet të hapura…do i mbyllim të gjitha diskot pub-et, lokalet, palestrat dhe çdo ambient që mbledh shumë njerëz”, deklaroi Rama.

Një tjetër vendim është edhe rritja e shpërblimeve financiare për personelin shëndetësor që është vija e parë në betejën me koronavirusin. Rama tha se shpërblimi për mjekët dhe infermierët do të jetë 1 mijë euro në muaj plus rrogën bazë përgjatë të gjithë periudhës së koronavirusit, ndërsa për shoferët e ambulancës dhe sanitarët pagesa ekstra rrogës do të jetë 500 euro.

Masa tjetër është edhe rekrutimi kundrejt pagesës e specialistëve dhe ish-punonjësve të shëndetësisë që kanë dalë në pension.

“Ka disa figura të mëdha dhe të respektuara mjekësia shqiptare dhe kjo është koha që mendja, eksperienca, janë pasuria më e çmuar. Disa njerëz që janë ende shumë dinamikë të fortë, edhe pse i kanë ndërprerë marrëdhëniet e punës, janë të ftuar, do të paguhen për të kontribuar në këtë luftë”, deklaroi Rama.

Masa tjetër lidhet me mbylljen e të gjitha sporteleve shtetërore dhe udhëzimi për të punuar nga shtëpia online për të gjithë pjesën e administratës që mund të kryejë detyrën e saj përmes kësaj forme. I njëjti urdhër vlen edhe për bizneset dhe kompanitë private, të cilave u kërkohet që të aplikojnë punën nga shtëpia për stafin që e ka të mundur ushtrimin e detyrës përmes kësaj forme.

Duke qenë se sportelet do të mbyllen, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu sqaroi se të gjithë pensionistët do të marrin me postë në banesat e tyre pensionin që u takon pa asnjë kosto shtesë.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/641804383271980/

Qeveria synon që me masat e ndërmarra të shmangë skenarin me të cilin po përballet aktualisht Italia dhe për t’iu përgjigjur të gjitha parashikimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për një kurbë rritëse të të infektuarve. Bashkë me rritjen e të prekurve, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi edhe shtimin e masave kufizuese.

“Gjërat do të shkojnë në një kurbë rritje, sipas llogarive nga OBSH që shohin si sillet virusi dhe cilat janë masat dhe gjatë kurbës rritëse do të rriten edhe kufizimet”, tha Rama.

Kryeministri foli për një situatë të pazakontë, të ngjashme me një situatë lufte dhe nuk përjashtoi edhe ndëshkimin deri me burg për ata që nuk i respektojnë këto kufizime të vendosura.

“Do të rritet goditja për ata që nuk duan të kuptojnë që nuk jemi në kushtet paguaj taksat, mos shkel vijat e bardha se do të marrësh gjobë. Jemi në kushtet kur duhet të të ruajmë ty dhe ti nuk ke të drejtën të vrasësh të tjerët. Pas kësaj do të ketë edhe sanksione”, tha Rama.

Sanksionet e parashikuara nga Qeveria shkojnë deri në 500 mijë lek gjobë, për të gjithë personat që janë të infektuar me koronavirus, por nuk u binden rregullave të kufizimit të lëvizjes, duke vendosur në rrezik qytetarët e tjerë.

10 Rregullat e reja e miratuara në qeveri

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastika ka lajmëruar nga mbledhja e qeverisë masa të reja për të parandaluar përhapjen e COVID-19. “Kam nxjerr urdhërat për kufizimin e mëtejshëm të aktiviteteve publike. Mbylljen për publikun deri në datën 3 prill 2020 të gjitha ambienteve që ofrojnë shërbime, lokale nate, disko apo të tjera lloje shërbimesh. Mbylljen për publikun deri në datën 3 prill të ambienteve të mbyllura të dedikuara për argëtimin e fëmijëve apo të rinjve, aktiviteteve në palestra, qendra sportive, pishina, qendra kulturore, qendra sociale, apo qendra argëtimi”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se prioritet për qeverinë mbetet mbrojtja e shëndetit së qytetarëve, Manastirliu tha se një ndër masat është dërgimi i pensioneve në shtëpi për të moshuarit. “Këtë muaj dhe deri në përfundim të kësaj situate të gjithë pensionistëve do t’i dërgohet pensioni në shtëpi me kosto zero, duke u mbështetur nga ministria e Financave. Postat duhet të garantojnë vazhdimësinë e shërbimit dhe të garantojnë masat për të kufizuar kontaktet me njerëzit”, u shpreh ministrja.

Manastirliu tha se është vendosur për karantinën e detyrueshme me qëllimin e vetëm për të mbrojtur më të pambrojturit. “Jemi të vendosur për karantinën e detyrueshme, sido që të jetë ne do kujdesemi për ata që janë më të pambrojturit në këtë situatë, për të moshuarit dhe do të kujdesemi që të mos përhapet ky virus”, tha Manastirliu.

Ministrja apeloi që qyetarët të zbatojnë rregullat për kufizim të lëvizjeve, pasi bazuar në informacionet e skenarëve do të ketë një numër në rritje të rasteve të konfirmuara. “Dua të informojë që sipas skenarëve që tashmë janë të ndërtuar prej Komitet te Koronavirusit që janë fleksibël, dinamik të ndërtuar nga komiteti i ekspertëte dhe sipas tyre parashikohet dhe është e pritshme një rritje të numrit të rasteve të prekura”, tha Manastirliu në mbledhjen e qeverisë. Ajo ka paraqitur dhe 10 masat e reja të miratura nga qeveria që parashikon dhe mbylljen e zyra për aplikimin në punë, mbylljen e lokaleve të natës, pishinat apo palestrat private.

“Ftohen të gjithë qytetarët, subjektet private të zbatojnë masat e mësipërme, të përshtasin rutinën më këto masa për të mos vënë në rrezik vetën dhe të tjerët deri në përfundim të kësaj periudhe që shpresojmë të mos zgjasë shumë”, shprehet ministrja e Shëndetësisë.

Pension në shtëpi me kosto zero për të moshuarit, duke filluar nga ky muaj deri në përfundim të kësaj situate

Grumbullimi masiv i personave në ambiente publike, është i ndaluar, dhe në çdo rast distanca nga njeri tek njeriu nuk duhet të jetë më e vogël se një metër.

Mbyllja për publikun deri në 3 prill të gjitha ambientet që ofrojnë shërbime si disko, lokale nate, ambiente për argëtimin e të rinvje si qendra sociale, palestra, pishina

Kufizim i kontakteve në institucionet rezidenciale publike dhe jopublike. Për qendrat sociale që ofrojnë shërbime si të moshuarit, personat me aftësi të kufizuar, fëmijët pa përkrahje prindërore, do të shmanget kontakti me persona jashtë strukturës ku ata banojnë.

Restorantet, baret të ofrojnë shërbime për qytetarët duke respektuar distancën prej së paku 2 m nga tavolinat dhe së paku 1 metër qytetarët nga njëri tjetri.

Organet e shërbimit postar duhet të garantojnë vazhdimësine e shërbimit dhe të hartojnë një plan masash për shmangjen e kontaktet të personelit me publikun.

Punëdhenësit privatë të marrin masa për parandalimin e përhapjes e virusit. Kontakti i tyre me publikun të shmanget nesë shërbimi mund të ofrohet online.

Do të pezullohet përkohësisht të gjithë proceset dhe procedurat për konkurset publike të punësimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë