Ngjarje

Alibia e Henri Çilit

Henri Çili thotë se në çështjen “Lazarati”, për të cilën akuzohet për ndikim të paligjshëm tek gjyqtarët nuk është përfshirë në cilësinë e botuesit, apo pronarit të një universiteti privat, por si aksioner i një zyre ligjore, duke argumentuar se interesi i tij për këtë dosje është krejtësisht i ligjëruar.

“Unë jam i përfshirë në çështjen për të cilën dyshohem se kam shkelur ligjin, aspak në funksionet e mia si botues, si pronar i UET, por si ortak mazhoritar i një firme legale me një entitet juridik me vete, ku unë kam 75 % të aksioneve. Duke pasur një interes të ligjshëm, pra si ortak, pas opinioneve ligjore të avokatëve të mi, kam takuar, paranegociuar, negociuar, ndërmjetësuar me persona në funksion të kontratatave për shërbime juridike dhe konsulencash të tjera, që ofron çdo studio legale sipas ligjit”, deklaroi Çili.

Çili deklaron se është ndaluar me shkelje të rënda proceduriale dhe arrestimin e cilëson si krejtësisht të panevojshëm.

“Ditën e enjte në datën 27 shkurt unë dhe dy të punësuarit e mi, avokatët Betim Shkupi dhe Ilir Korbi jemi ndaluar përmes shkeljes të rëndë proceduralë të cilat avokatët e mi i kanë paraqitur profesionalisht pranë organeve përkatëse, kur nuk kisha pasur në jetën time asnjë precedent penal; nuk kisha asnjë rrezikshmëri për t’u larguar nga Shqipëria dhe nuk kisha asnjë mundësi për të prishur provat. “, thotë ai.

Henri Çili është i bindur te pafajësia dhe thotë se do ta kërkojë atë përmes avokatëve të tij. Ai i hodhi poshtë akuzat e ngritura nga Prokuroria duke thënë se do të apelojë masën e marrë nga gjykata dhe do të kërkojë pafajësinë.

“Në përputhje me këto elementë avokatët e mi do të kërkojnë pafajësi dhe pas marrjes të pafajësisë sigurisht që do të kërkojnë dëmshpërblimin”, shton ai.

Për fitimin e pafajësisë dhe marrjen e dëmshpërblimit Cilli paralajmëron se do t’i shkojë çështjes deri në Gjykatën e Strasburgut.

“Unë mendoj që në realizimin e të drejtave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, në procese të ndryshme gjyqësore në shkallët e ndryshme të gjyqësorit deri në Gjykatën e Strasburgut, komunikimi, publikimi dhe ndriçimi i të gjitha rrethanave të çështjeve, është jo vetëm ushtrim i lirisë e shprehjes, por media luan një rol shumë të rëndësishmen në gjetjen dhe vënien në vend të drejtësisë duke siguruar njëkohësisht dënimin e autorëve por dhe mos shkeljen e të drejtave të tyre. E gjitha në funksion të një misioni më madhor: dhënia e drejtësisë”, deklaron ai.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se Çili është takuar me një zyrtar të lartë të drejtësisë për të ndikuar në favorizimin e dosjes “Lazarati” në Gjykatën e Lartë, për t’iu dhënë prioritet në shqyrtim. Emrat që qarkulluan në media ishin ata të Ardian Dvoranit dhe Sokol Sadushit, i pari si anëtar i vetëm në detyrë i Gjykatës së Lartë dhe i dyti si drejtor i Shkollës së Magjistraturës dhe kandidat potencial për anëtar të kësaj gjykate. Të dy këta emra mohuan kontaktet me Çilin për këtë çështje, ndërsa këtë të enjte edhe vetë Çili i mohoi këto kontakte.

“Nuk kam takuar asnjë gjykatës, asnjë funksionar të lartë të drejtësisë, as nga unë, apo avokatët e studios ligjore. Po ashtu në jetën time asnjëherë nuk kam takuar asnjë gjykatës, apo funksionar të drejtësisë për të ndikuar për vendimet e ardhshme gjyqësore”, deklaroi ai.

Botuesi nuk është i bindur se çështja e tij është e motivuar politikisht dhe më shumë beson se ajo është nxitur nga protagonizmi i strukturave lokale të organeve të drejtësisë së vjetër.

“Mendoj se kemi të bëjmë me cilësinë skandaloze të sistemit të vjetër të drejtësisë, protagonizmit të sëmurë lokal të segmenteve të drejtësisë. Si e tillë kjo çështje nuk shërben fare për askënd si bilanc i luftës ndaj korrupsionit, apo krimit. Është një proces i pakuptimtë, absurd për të qenë i qëllimshëm, aq me pak politikisht”, tha ai më tej.

Henri Çili thotë se asnjëherë në jetën e tij nuk ka falsifikuar ndonjë dokument, nuk ka mashtruar askënd dhe as është përpjekur që të përdorë ndikimin si person publik për çështje të caktuara, aq më pak në sistemin e drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë