Ardian Doçaj, njëri prej personave të shpallur në kërkim nga ana e Policisë së Shtetit i dyshuar si njëri prej organizatorëve të pengmarrjes së Jan Prengës në ngjarjen e ndodhur më 17 janar në qytetin e Kamzës ka mohuar akuzat.
Doçaj ka reaguar përmes telefonit në emisionin “Repolitix” në Report TV ditën që njësia speciale “Operacioni Forca e Ligjit i bllokoi një sërë pasurish në Shkodër. Doçaj mohon se ka lidhje me ngjarjen në fjalë. Ai deklaron se jeton prej vitesh në kurbet dhe shprehet i gatshëm që të rikthehet në atdhe për t’u përballur me akuzat e ngritura kundër tij.
“Hera e fundit ka qenë me 23 dhjetor të vitit 2018 dhe kam dalë nga Shqipëria në 2 nëntor të 2019 nga Maqedonia, Bullgaria. I kam të gjitha vulat në pasaportë që rezultojnë, në dogana nuk kalojnë false. Po, po do vij nesër. Nesër unë zbres në orën 1 pasdite në Podgoricë”, deklaron ai.
Po ashtu, Ardian Doçaj mohon se ka lidhje me grupin e Hajrave në qytetin e Shijakut, në pronësi të të cilëve është hoteli “Gold”, ku dyshohet se është torturuar për vdekje Jan Prenga, trupi i të cilit nuk është gjetur ende nga policia.
“Unë e kam parë veten që më kanë shpallur një person me rrezikshmëri në shtetin shqiptar, ndërkohë që unë jam që nga data 2 nëntor jashtë territorit shqiptar. Kam pasaportën me vulat dhe i deklaroj që nesër që të arrijë që s'kam lidhje me atë punë dhe s’e di fare për çfarë arsye. Nuk e njoh fare (Altin Hajrin), nuk e di as se ekzistonte. Këta që janë të arrestuar asnjëherë s'i kam parë, s'di gjë fare hiç për ta. S'e di as kush janë ata. Unë s'kam qenë asnjëherë në jetën time atje, ça quhet ajo …. në Shijak, nuk e di as nga i binte Shijaku. Ka 15 vite që jetoj në kurbet”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.