Politike

PD: Bosët e krimit po lirohen me dijeninë e Ramës, kanë garanci shtetërore

Pas lirimit nga burgu të disa prej të dënuarve, Partia Demokratike hedh akuza të forta mbi kryeministrin Edi Rama.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi në një dalje për mediat u shpreh se bosët e krimit dhe vrasësit më të rrezikshëm, po lirohen me dijeninë e Edi Ramës.

“Vendimi i Edi Ramës për të shpëtuar nga burgu kriminelët më të rrezikshëm të vendit, janë dëshmia më e rëndë e bashkëqeverisjes së tij me krimin.

Teatri i marionetave të Ramës, në rolin se qeveria nuk di çfarë bëjnë drejtorët e saj apo gjyqtarët e kontrolluar prej saj,është tallje e ulët  me inteligjencën e qytetarëve shqiptarë.   

Askush nuk ka dyshimin më të vogël se lirimi nga burgu i bosëve të krimit të organizuar dhe vrasësve më të rrezikshëm është bërë me dijeninë e Edi Ramës”, u shpreh Bardhi. 

Sipas Bardhit, Lulzim Berisha, Endrit Dokle, Genc Tafili, Ilir Paja, Viktor Ymeri jo vetëm janë jashtë burgut, por kanë dalë me garanci shtetërore, duke u siguruar vende pune.

“Shkarkimi i drejtorëve, procedimet e gjyqtarëve apo prokurorëve nuk e zhbëjnë dot faktin se bosët e krimit të organizuar janë jashtë burgut.

Lulzim Berisha, Endrit Dokle, Genc Tafili, Ilir Paja, Viktor Ymeri jo vetëm janë jashtë burgut, por kanë dalë me garanci shtetërore, duke u siguruar vende pune.

Të gjithë këta kanë punuar brenda dhe jashtë burgut për të bërë vota për Partinë Socialiste, për të mbajtur në pushtet Edi Ramën. Ata kanë bashkëdrejtuar piramidën shtetërore duke paracaktuar fituesit e tenderave dhe emërime kyçe në administratë. Për këtë ata janë duke u shpërblyer prej Edi Ramës me lirim të paligjshëm nga burgu, si pjesë e marrëveshjes së tij për bashkëqeverisje me krimin e organizuar.

Njeriu që mbushi Parlamentin, bashkitë dhe administratën publike, me kriminelë apo përfaqësues të emëruar nga krimi i organizuar, sot po përdor pushtetin e tij mbi drejtësinë për lirimin e bosëve të krimit të organizuar”, u shpreh ndër të tjera Bardhi.

Ai ndër të tjera se ministrja Gjonaj duhet të reagojë para se të merret vendimi, pasi është në dijeni paraprakisht.

“Deklarata e sotme e ministres së Drejtësisë, është një akt i përsëritur, ku reagimi nuk vjen para se të merret vendimi, edhe pse ajo është në dijeni për të paraprakisht, por gjithmonë një javë pas lirimit.

Ministrja Etilda Gjonaj dhe shefi i saj Edi Rama nuk guxojnë as t’u përmendin emrat bosëve të krimit të organizuar, të liruar me dijeninë e tyre.

Edi Rama dhe Etida Gjonaj duhet t’u shpjegojnë shqiptarëve pse nuk reaguan menjëherë, pasi bosi i krimit Lulzim Berisha u lirua me garanci të Vangjush Dakos? Pse nuk e informojnë opinionin publik se janë në dijeni të plotë që po përgatitet edhe lirimi i bosit të krimit të organizuar Arben Grori?”, përfundoi Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë