Rend dhe Ligj

Lirimi i Endrit Dokles, qeveria fajëson KLGJ: Të shkarkohet gjyqtarja Hoxha

Ministria e Drejtësisë fajëson Këshillin e Lartë Gjyqësor për papërgjegjshmëri dhe shpërfillje të shqetësimeve të ngritura nga ky institucion në lidhje me vendimet e gjyqtares Enkeleda Hoxha, e njëjta gjyqtare që dha vendimin që liroi Endrit Doklen pak ditë më parë.

Në një deklaratë për shtyp, ministrja Etilda Gjonaj tha se Ministria e Drejtësisë i është drejtuar që para dy viteve Inspektoriatit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për vendimet e kësaj gjyqtareje.

"Lirimi i të dënuarve me burgim të përjetshëm është një këmbanë alarmi për procesin ku ndodhet drejtësia. Ndihem e keqardhur për këtë vendim, edhe pse shqetësimin e kam shprehur institucionalisht duke kërkuar verifikim të menjëhershëm. Shqetësimi ynë për gjyqtaren Enkeleda Hoxha është përçuar që në 8 Janar 2018 pas lirimit të Genc Tafilit”, tha Gjonaj.

Ministrja deklaroi se përballë këtij shqetësimi të ngritur ka ndeshur vetëm heshtje nga ana e KLGj-së, megjithëse sipas verifikimeve të Ministrisë së Drejtësisë janë gjetur shkelje të hapura të Kodit Penal nga ana e gjyqtares.

“I jam drejtuar Inspektorarit të Këshillit duke ndeshur heshtje dhe papërgjegjshmëri. Është kryer një verifikim i vendimit të gjyqtares dhe fakteve publike. Nisur nga analiza e detajuar rezulton se gjyqtarja ka marrë vendim në kundërshtim të hapur me kriteret e lirimit me kusht dhe Kodit Penal. Edhe pse Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetenca në sistemin e drejtësisë, ndjejmë detyrimin për t'i adresuar aktorëve të tjerë për të vepruar në interes të qytetarëve”, u shpreh Gjonaj.

Ministrja tha se një ditë pas bërjes publike të lajmit të vendimit për lirimin e Endrit Dokles, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga KLGj që të pezullojë gjyqtaren dhe të nisë procedurat për shkarkimin e saj.

“Në datën 15 janar i jam drejtuar KLGj për pezullimin e saj dhe marrjen e masave për shkarkimin e saj nga detyra e gjyqtarit. I kam kërkuar prokurorisë ndjekjen penale të gjyqtares për parandalimin e veprimeve të tilla. I jam drejtuar KPK dhe OMN për ndjekjen e rastit”, u shpreh Gjonaj.

Ministrja e Drejtësisë thotë se ndaj gjyqtares Enkeleda Hoxha rëndojnë denoncime të shumta për korrupsion dhe keqinterpretim të ligjit, ndërsa vetë si institucion shtoi se ka marrë si masë pezullimin e drejtorit të Shërbimit të Provës në Krujë.

Gjonaj tha se Enkeleda Hoxha e ka të qartë që nuk e kalon dot procesin e vettingut, por paralajmëroi se ajo do të jetë subjekt i paketës anti-KÇK, që mazhoranca thotë se do ta kalojë me shpejtësi në Kuvend.

“Vendime të tilla të dhëna nga një individ i caktuar apo të tjerë që e kanë të qartë që nuk do e kalojnë vettingun duhen marrë masa për të kthyer besimin e qytetarëve tek drejtësia. Kuvendi do të shqyrtojë me urgjencë masat ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve KÇK", u shpreh Ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë