Ngjarje

Turqit ndjekin në Tiranë gjyqin ndaj mikut të “gylenistit” Harun Çelik

Selami Simsek, shtetasi tjetër turk i ndaluar në Aeroportin e Rinasit në korrik të 2019 së bashku me mësuesin Harun Çelik doli para gjykatës këtë të hënë për t’u njohur me pretencën e prokurorisë në lidhje me akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

“Jam i martuar dhe baba i tre fëmijëve. Nuk kam qenë asnjëherë i dënuar. Kam kombësi dhe shtetësi turke”, deklaroi shtetasi turk.

Seanca u ndoq edhe nga një përfaqësi e Ambasadës turke në Tiranë.

Selami Simsek u pyet nga gjykata nëse e kishte problem që procesi po vëzhgohej nga përfaqësues të Ambasadës turke. “Jo”, u përgjigj ai dhe përmes avokatit Altin Gjata kërkoi gjykim të shkurtuar.

Simsek ka deklaruar se në Tiranë ishte tranzit, ku do të udhëtonte më pas në drejtim të Vjenës dhe më vonë për në Toronto, të njëjtin destinacion përfundimtar që kishte edhe mësuesi Harun Çelik.

Pasaporta e tij turke është e vlefshme, por dyshohet se shtetasi turk ka falsifikuar vizën e udhëtimit për në Kanada, duke paguar 5 mijë euro në Kosovë.

Shtetasi turk kërkoi gjykim të shkurtuar, kërkesë që i është pranuar nga gjykata, ndërsa Prokurorja e çështjes Anila Galanxhi kërkoi kohë për t’u përgatitur. Gjykata caktoi datën 27 janar për seancën e radhës.

Mbetet për t’u parë nëse edhe në rastin e Selami Simsek do të veprohet si me mikun e tij, Harun Çelik, që u dënua në Shqipëria me 13 muaj burg, duke vuajtur më pak se 6 muaj pas kërkesës për gjykim të shkurtuar. Ai u dënua për përdorim të dokumentave të falsifikuar dhe në përfundim të këtij dënimi u dëbua për në Turqi nga ana e Policisë së Shtetit përmes procedurave që mbeten ende të paqarta.

Çelik ishte larguar nga Turqia para korrikut 2016, kur ndodhi tentativa për grusht shteti dhe dyshohet se ishte pjesë e lëvizjes “Gylen” të shpallur organizatë terroriste nga Erdogan, që prej atëherë ka nisur një fushatë agresive arrestimi dhe ndëshkimi të anëtarëve të kësaj organizate, brenda dhe jashtë Turqisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë