Politike

Ekstradimi i Gylenistit, eurodeputetja letër Metës dhe Ramës: Shpjegoni procedurat

Esktradimi i shtetasit turk Harun Çelik nga Shqipëria drejt Turqisë, i njohur si pjesëtar i lëvizjes gyleniste sjell reagim dhe nga ana e deputetëve të Parlamentit Europian
Eurodeputetja rumune, Ramona Strugariu i ka nisur një letër zyrtare Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, në të cilën kërkohen sqarime për mënyrën se si është deportuar mësuesi gylenist drejt Turqisë, Harun Çelik. Në në postim në rrjetin social eurodeputetja i bëntë të ditur për letrën edhe Taulant Ballën dhe ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshajn.

Pasaporta e Harun Çelik. Gazeta “Si” 9 janar 2020


Strugariu kërkon një përgjigje të qartë lidhur me procedurat që janë ndjekur për ekstradimin e Harun Çelik drejt Turqisë në lidhje me Ligjin Ndërkombëtar dhe Europian si dhe si u krye ky operacion. Eurodeputetja rumune kërkon të dijë edhe mbi kërkesën që kishte iniciuar Harun Çelik për azil në Shqipëri. Si është vepruar me këtë kërkesë të mësuesit turk të dyshuar si ‘gylenist’ nga autoritetet shqiptare. Në këtë letër kërkohet të njihet konkretisht me procedurat e ekstradimit nëse ato kanë qenë edhe në përputhje me detyrimet që Shqipëria ka ndaj zbatimit të detyrimeve të ligjit europian dhe ndërkombëtar për ekstradimet, për kthimet dhe dhënien e azilit.

Letra e eurodeputetes drejtuar presidentit Meta. Gazeta “Si”, janar 2020


“Ju lutemi ndani me ne rrethanat e sakta dhe bazën ligjore nën të cilën ka qenë ky operacion i kryer, veçanërisht pasi autoritetet shqiptare këmbëngulin se gjithçka ishte bërë në përputhje me procedurat normale për dëbimin e një shtetasi të huaj. Ne gjithashtu do të dëshironim të kërkojmë sqarime të mëtejshme në lidhje me procedurën e azilit që kishte filluar Z. Çelik, nëse kërkesa e tij ishte përpunuar nga autoritetet shqiptare në kohën e dëbimit të tij dhe hapat e ndjekur në këtë procedurë. Së dyti, ne do të dëshironim të pyesnim nëse autoritetet turke kishin filluar formalitetet për ekstradimin, nëse një gjykatë shqiptare kishte vlerësuar këtë kërkesë. Do të donim të rikujtonim që Shqipëria ka nënshkruar dhe ratifikoi Konventën e Këshillit të Europës për Ekstradimin, e cila sipas nenit 3, ndalon çdo formë të ekstradimit me bazë politike”, thuhet midis të tjerash në letrën e eurodeputetes Strugariu.

Letra drejtuar kryeministrit Edi Rama. Gazeta “Si” janar 2020


Deportimi i Çelik më 2 janar u bë i ditur nga ana e Agjencisë Turke Anadoly, e cila postoi edhe videon e shoqërimit nga forcat speciale turke. Ai u ndalua në Rinas, ku policia shqiptare e ktheu për dokumente të rreme. Në këtë video theksohet se Çelik i është kërkuar që bëjë sikur po i bie të fikët nga shokët e tij që e shoqëronin në Rinas. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë tha se, “ky shtetas ishte i dënuar dhe doli nga burgu. Ky shtetas është kapur me dokumente false në dalje në Rinas(aeroport) dhe për këtë u dënua. Në bazë të ligjit për të huaj, janë bërë proceduarat ligjore për largim nga Shqipëria”.
Për dëbimin e Çelik ka pasur edhe më parë edhe një reagim të eurodeputetes Harms që dënon rrëmbimin, duke kërkuar hetim të pavarur e të plote të kësaj ngjarjeje.
“Kërkohet urgjentisht një hetim i pavarur i këtij rasti dhe rasteve të ngjashme të rrëmbimeve të shtetasve turq jashtë vendit”- shkruan eurodeputetja në një shënim të bërë në llogarinë e saj në Twitter.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë