Mediat turke kanë bërë publike video të deportimit të shtetasit turk Harun Çelik, largim që ka ngjallur debat ndërkombëtar, pasi Çelik konsiderohej si kundërshtar i presidentit turk Rexhep Taip Erdoan dhe mbështetës i Lëvizjes Feto, të Abdullah Gylen. Në videon e xhiruar nga miq të Çelik në Tiranë, duket furgoni i blinduar i policisë teksa dërgon në aeroportin e Rinasit shtetasin turk.
Sipas policisë shqiptare, ndaj këtij shtetasi janë kryer procedurat për ta larguar nga Shqipëria, sapo ai kishte përfunduar një dënim, që mori në Tiranë. Ky shtetas ishte i dënuar dhe para dy ditësh doli nga burgu. «Ai është kapur me dokumenta false në dalje në Rinas dhe për këtë u dënua. Në bazë të ligjit për të huaj, janë bërë procedurat ligjore për largim nga Shqipëria”, tha policia, e cila nuk saktësoi nëse Harun Çelik kishte kërkuar apo jo strehim e mbrojtje nga Shqipëria si një veprimtar politik i rrezikuar në atdheun e tij në Turqi. Harun Çelik, 42 vjeç, punonte në Shqipëri si mësues. Ai njihej si pjesëtar i lëvizjes Gulen në Turqi, ndërsa u kap në aeroportin e Rinasit me dokumente false duke udhëtuar drejt Kanadasë.
Alban Bengasi, avokati i shtetasit turk Harun Çelik, i tha Zërit të Amerikës se veprimet ndaj klientit të tij janë në shkelje të ligjit dhe se prokuroria duhet t’i hetojë këto veprime të paligjshme. “Për një akt dëbimi, që ndërmerret ndaj një shtetasi të huaj, jepet një urdhër dëbimi. Ky urdhër shoqërohet me një afat për t’u larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë. Më pas personi mund ta kundërshtojë këtë akt në gjykatën administrative, ndaj është gjykata që e vendos nëse urdhëri është i ligjshëm apo i paligjshëm”, tha avokati Alban Bengasi.
Ai u shpreh se “Harun Çelik u ka kërkuar zyrtarëve azil politik por kjo i është refuzuar nga autoritetet e policisë së burgjeve.”
Ndërkaq vendimi i autoriteteve shqiptare për të dëbuar mësuesin turk, është gjykuar ashpër nga eurodeputetja Ramona Strugariu. Ajo kritikoi qeverinë shqiptare përmes një statusi në Tëitter dhe i kujton kryeministrit Edi Rama ligjin ndërkombëtar që siguron mos ekstradimin e Harun Celikut në Turqi.
“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Shqipëria ka firmosur Konventën e Këshillit të Europës mbi ekstradimin. Për më shumë, ju thoni se Shqipëria është gati për në BE. Atëherë ju lutem respektoni nenin 19, pika 2 të Kartës Europiane për të Drejtat Themelore dhe mos e ekstradoni #HarunÇelik në Turqi!” shkruan eurodeputetja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.