Mbi 10 mijë banorë të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit do ta kalojnë natën e Vitit të Ri nëpër çadra. Kjo është shifra e konfirmuar në mbledhjen e tretë të Komitetit të Rindërtimit nga ana e Ministrit Bledi Çuçi.
Çuçi tha se janë plot 10225 banorë të identifikuar që aktualisht janë të strehuar nëpër çadra. Sipas Çuçit në hotele janë strehuar rreth 3600 banorë të tjerë, ndërsa bonusin e qirasë e kanë përfituar rreth 6400 familje.
Pjesa dërrmuese e banorëve që ndodhen ende të strehuar nëpër çadra janë nëpër zonat rurale në Durrës, Tiranë dhe Lezhë, të cilët sipas Kryeministrit Edi Rama për arsye legjitime nuk kanë përfituar nga bonusi i qirasë. Për këtë kategori, Rama kërkoi që brenda vitit të jenë rindërtuar të gjitha shtëpitë.
"Objektivi është që brenda 2020 të gjithë ata që sot jetojnë në fshat, që për arsye legjitime nuk janë spostuar në sistemin e qirave në zonat urbane dhe thjeshtë kanë kërkuar një çadër, duhet të futen në shtëpitë e reja. Asnjë nuk mundet dot ta lëmë që të kalojë vitin e ri 2021 në çadër. Ky është objektivi i parë dhe besoj që do të jemi gati që me pranverën dhe maksimalisht marsi të fillojë spostimi i familjeve që jetojnë në fshat, në shtëpitë e reja”, deklaroi Rama.
Kryeministri Rama thotë qeveria është gati që në nisje të pranverës të fillojë zhvendosjen e familjeve që jetojnë në fshat nga çadrat në shtëpitë e reja dhe i gjithë procesi të përmbyllet brenda këtij viti.
Objektivi dhe afati i dytë që vendosi Rama ishte rindërtimi brenda 9 muajve i të gjitha shkollave dhe spitaleve dhe objektivi i tretë është që në gjysmën e parë të 2020-ës të hapen kantierët e ndërtimit të blloqeve me pallate në Tiranë e Durrës ku do të strehohen banorët që sot janë me qira. Si afat për nisjen e strehimit të tyre në pallatet e reja, Rama vendosi fundin e 2021-it.
Ndërkohë, në këtë mbledhje Ilir Hoxhollit iu caktua roli i Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit të Rindërtimit, nisur nga fakti që kryetari i këtij Komiteti u emërua ministër i Shtetit për Rindërtimin. Vetë Ahmetaj prezantoi punën e bërë deri më tani me kuadrin ligjor për këtë proces.
"Brenda janarit duhet të kemi draftin përfundimtar që kur të jemi duke diskutuar dhe duke iu afruar datës së Konferencës së Donatorëve të kemi draftin final. Vende si Greqia dhe Italia i kanë bërë, ne na u desh t’i bëjmë nga e para. Për shkak të ndryshimit të procedurave të përshpejtuara, janë 1020 leje për rikonstruksion”, tha ai.
Ahmetaj kërkoi që transparenca të kthehet në detyrim, ndërsa nga organizatat që kanë mbledhur fonde, gazetari Marin Mema ofroi ndihmë për rindërtimin e Kalasë së Krujës, që u dëmtua ndjeshëm nga lëkundjet e 26 nëntorit.
Mema ngriti gjithashtu edhe shqetësimin e studentëve të Universitetit Bujqësor në Kamëz që para tërmetit ishin strehuar në konviktet që u shemben. Ai kërkoi që studentëve t’u rikthehet pagesa e tarifës së paguar për strehim në këto konvikte.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se bashkia ka ofruar bonus qiraje për këta studentë, deri në 60 mijë lekë të vjetra, ndërsa shtoi se në janar do të shqyrtohet mundësia për rikthimin e tarifës së paguar prej tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.