“Pëlqimet” virtuale janë mëse të dëshiruara nga gjithkush, por në internet gjithnjë e më shumë po manipulohet me këtë. Në mediat sociale blihen “Like”-t duke krijuar dhe ofruar një realitet që shpeshherë është krejt ndryshe nga e vërteta.
Tanja Kuhne, që me kohë të plotë zotëron një kompani dezajni dhe “part time” është një politikane lokale në Luneburger të Gjermanisë, pagoi 80 euro dhe menjëherë iu shtuan 500 pëlqime në faqen e saj në rrjetet sociale. Pagesa iu bë kompanisë “PaidLikes” dhe qëllimi fillestar i Kuhnes ishte që të rivalizonte popullaritetin e rivalëve të saj politikë në internet. Por më vonë, ky qëllim doli në plan të dytë dhe objektivi i Kuhnes ishte që të demaskonte hipokrizinë dhe realitetin virtual përballë realitetit real.

Kuhne zbuloi një skemë të mirëfilltë të ngritur nga kompania “PaidLikes”, që organizonte rrjetin e saj të “Punonjësve të klikimeve”, që të paktën virtualisht të garantonin suksesin e sigurtë.
“Në atë kohë u përpoqa që të rris ndikimin tim tek zgjedhësit. Unë jam politikane vendore, që në zgjedhjet për Parlament kam përballë profesionistë që punojnë politikanë me kohë të plotë. Ata kanë një zyrë të posaçme që kujdeset për median dhe rrjetet sociale, që postojnë përditë aktivitetet në Facebook dhe Instagram. Ky është presion që shtohet vazhdimisht ndaj nesh”, thotë ajo.
Deutsche Welle (Kliko KËTU) thotë se si Tanja Kuhne ka me mijëra muzikantë, trajnerë, shitës automjetesh që kanë aplikuar më përpara skema të tilla tërheqjeje ndjekësish fiktivë nëpër rrjetet sociale.
Këto kanë shkaktuar një mori reagimesh në Gjermani, megjithëse në këtë mes promovimi edhe përmes pagesave të tilla nuk përbën asnjë shkelje ligjore. Por, ajo po qortohet gjerësisht, pasi shumë përdorues të rrjeteve sociale në Gjermani vënë në pikëpyetje moralin e kësaj forme të pandershme “popullariteti” virtual.
NATO “gjurmon” manipulatorët
Qendra Strategjike e Komunikimit (Stratcom), me bazë në kryeqytetin letonez Riga dhe që konsulton NATO-n në fushën teknologjike dhe rrjetet sociale thotë se manipulimi online është shndërruar tashmë në një industri miliarda dollarësh në mbarë botën.
“Kemi gjetur kompani në të gjithë botën„që nga Europa deri në Rusi, Filipine apo Afrikën Perëndimore, që fitojnë para me manipulimin e mediave sociale”, thotë për DW, Sebastian Bay.
Ajo që e nxit e zgjeron gjithnjë e më shumë këtë industri, sipas Bay, janë çmimet e ulta me të cilat ofrohen këto shërbime dhe lehtësia për të gjetur kompani, apo individë që merren me këtë punë.

“Në fillim menduam se do na duhej që të hynim në botën e errët të internetit, apo grupe hakerash, por është shumë, shumë më e thjeshtë. Mjafton një kërkim në Google apo Bing dhe aty të listohen vetë manipulatorët e pëlqimeve në rrjetet sociale”, shton Bay.
Për Bay kjo ka pasoja të mëdha. E para, thotë ai, mashtrohet publiku duke i ofruar një imazh tjetër nga ai që mund të jetë në realitet dhe e dyta sipas parimit “së bashku me barin e thatë, digjet edhe i njomi”, humbet besueshmëria e personave, grupeve, apo shoqatave që vërtet janë popullorë.
Jo vetëm kaq, por sipas Bay, ky lloj mashtrimi nuk është i rrezikshëm vetëm për bizneset, por edhe për vetë nivelin e demokracisë.
“Qeveritë, apo drejtuesit e qeverive mund ta përdorin këtë për të devijuar debatet demokratike. Ata nxjerrin jashtë loje zërat legjitimë dhe forcojnë zërat e sponsorizuar, që në një garë të barabartë nuk mund të jenë kaq legjitimë. Ata mund të krijojnë përshtypjen me profile të falsifikuara se janë pjesë e një debati, duke e bërë edhe më të vështirë për të kuptuar se çfarë është e vërtetë dhe çfarë e gënjeshtërt”, thotë ai.
Burimi: Deutsche Welle
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



