Kreu i shtetit Ilir Meta, pasdites e së mërkurës së bashku me presidentin Hashim Thaçi në lagjen 18 të Durrësit. Në takimet me banorët dhe me trupat ushtarake të sigurisë së Kosovës, Meta u shpreh se “sigurisht është një situatë dramatike e cila vazhdon dhe ka vështirësitë e saj, sepse ende kemi ndjerë që ka lëkundje, siç pati dhe sot në mesditë, të cilat cenojnë edhe punën edhe sigurinë, të forcave të shpëtim-kërkimit në rrënojat e godinave, të cilat janë rrëzuar dhe ku po kërkohen qytetarët tanë, me shpresën për t’i shpëtuar ata”.
“Në radhë të parë do doja të shprehja falënderimet më të përzemërta për shtetin e Kosovës, për popullin e Kosovës, për Presidentin Thaçi që jemi sot këtu, për gjithë institucionet e Kosovës, në mënyrë të veçantë për FSK-në, e cila ka fituar një simpati mjaft të gjerë, jo vetëm për shkak të reagimit të menjëhershëm dhe ka qenë e para që është gjendur në vatrat e nxehta të kësaj krize, por dhe me seriozitetin, me efikasitetin, me përkushtimin e saj ka bërë dhe po bën çdo gjë për të na ndihmuar të gjithëve në këtë sfidë të jashtëzakonshme dhe të paprovuar më parë”, deklaroi Meta.
I pyetur nëse do ta thërrasë Këshillin e Sigurisë, Presidenti Meta tha se nuk është momenti i duhur për të shkëputur nga puna drejtuesit. “Tani nuk është momenti për t’i shkëputur të gjithë drejtuesit nga puna dhe nga përkushtimi, pasi dihet që jemi në kushtet e emergjencës. Secili po bën dhe do të bëjë detyrën e tij sa më mirë që të jetë e mundur dhe më pas mund të bëjmë patjetër dhe do t’i bëjmë të gjitha konkluzinet, përllogaritjet edhe reflektimet e duhura për të ardhmen.”, u shpreh Presidenti.
Me këtë deklaratë Meta nuk e përjashton mundësinë për të thirrur këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku duhet të ulet në një tryezë me kryeministrin Edi Rama dhe ministrat e qeverisë, si dhe me kryeparlmaentarin Gramoz Ruçi.
Në muajin korrik të këtij viti presidenti Meta u vu në qendër të debatit për shkak se kërkonte thirrjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për shkak të raporteve të marra nga sizmologu grek. të Drejtorit të Institutit Gjeodinamik të Greqisë, të pasqyruar gjerësisht në median ndërkombëtare dhe kombëtare, me zë dhe figurë, ku paralajmëronte rrezikun apokaliptik të tërmeteve, ku përfshinte edhe Shqipërinë. Por thirrja shkresa e tij, u refuzua nga ministrja Xhaçka, e cila theksonte se tërmet nuk parashikoheshin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.