Andorra është një ndeshje e lehtë në letër dhe trajneri Edi Reja i druhet faktit se ndoshta të tijtë do të nënvlerësojnë, aq më tepër kur pask pak ditësh është sfida me kampionët e botës. Ai theksoi në konferencë shtypi se ka një skuadër me futbollistë inteligjentë, të cilët e kuptojnë rëndësinë e ndeshjes së sotme në “Elbasan Arena”, ku fitorja e mundshme do ta fuste Shqipërinë në histori. Kuqezinjtë do të shkonin në kuotën e 15 pikëve në një fazë eliminatore, duke thyer rekordin e Shqipërisë së De Biazit me 14 pikë.
Më shumë se te rekordi, që në fund mbetet thjesht një statistikë, trajneri Reja kërkon nga skuadra që të vazhdojë me hapat e rritjes së saj, të tregojë profesionalizëm dhe maturi në fushë. Me siguri italiani 74-vjeçar do t’u besojë alternativave sot, atyre lojtarëve që në të ardhmen pritet t’i shërbejnë Kombëtares. Do të ruajë gati gjysmën e titullarëve për ndeshjen me Francën, që luhet më 17 nëntor dhe mbyll eliminatoret e Europianit. Skema nuk ndryshon, pasi trajneri Edi Reja është i bindur se skuadra po funksionon me 3-5-2-shin e aplikuar deri tani.
Në portë pritet që këtë herë të luajë Etrit Berisha, për t’ia lënë radhën Tomas Strakoshës ndaj Francës. Mbrojtja do të ketë të përhershmit Ismajli dhe Gjimshiti, ndërsa i treti do të jetë Frederik Veseli, i cili bëri Hysajn në ndeshjet e fundit, duke luajtur në të djathtë dhe i avancuar. Edhe me Empolin Veseli luan në mbrojtje me tre dhe është i përshtatur me këtë skemë. Mavraj është sërish jashtë për shkak dëmtimi.
Më shumë ndryshime do të ketë në mesfushë, ku titullarë parashikohen Ramadani, Selahi dhe Ndoj. Një treshe qendre e re në krahasim me ndeshjet e fundit. Jurgen Gjasula mungon për shkak kartonësh, kurse Keidi Bare dhe Ledian Memushaj do të kursehen me shumë mundfësi për Francën. Në krahun e djathtë pritet të luajë Hysaj, i cili ka lënë pas një dëmtim serioz, por mund të luajë edhe Roshi. Në krahun e majtë, Memolla shihet si favorit ndaj Trashit për këtë ndeshje.
Për sulmin, i sigurt duket Myrto Uzuni. Partneri i tij mund të jetë Florian Kamberi, por për këtë gjithçka varet nga dokumentacioni, që nëse vjen në kohë, i jep të drejtën të luajë lojtarit të Hibernianit. Në të kundërt, në fushë do të jetë Balaj. Manaj do ta nisë nga stoli, me objektivin për të qenë në fushë nga minuta e parë ndaj Francës. Mungojnë për shkak dëmtimi Sokol Cokolleshi dhe Armando Sadiku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.