Lajme

Bregu: Zona ekonomike e përbashkët e vonuar, pasojat po i ndjen biznesi

Vonesa e krijimit të zonës së përbashkët ekonomike mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, po shkakton pasoja tek biznesi.

“Jo pak detyrime që rrjedhin nga marrëveshjet rajonale, nuk po zbatohen. Biznesin vazhdon ta mbysë burokracia e tepërt dhe procedurat e ndërlikuara”- është shprehur Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal pas takimit të Ohrit.

Ajo ka theksuar se institucioni që ajo përfaqëson është i angazhuar tërësisht për bashkëpunimin rajonal.

“Ky është misioni ynë. Ne u ftuam në Ohër për të dëgjuar porpozimet e tre liderave nga rajoni.

Të gjashta ekonomitë e rajonit, Bosnja-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria, po krijojnë Zonën Rajonale Ekonomike, e cila u prezantua zyrtarisht në vitin 2017, me kërkesë të të 6 liderave të ekonomive të sipërpërmendura. Ky projekt synon të çojë përpara bashkëpunimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor duke eliminuar gjithashtu barrierat sociale qe hasin të rinjtë në rajon, njohjen e diplomave, profesioneve, nxitjen e ideve të reja inovative për të cilat kemi kaq shumë nevojë”- është shprehur Bregu.

Sipas saj, pavarësisht se në krahasim me situatën e 2.5 viteve më parë perspektiva është larg të qenit e mirë.

Ritmi i procesit të anëtarësimit në BE, tha ajo, ishte i ngadaltë dhe tani është edhe më shumë i paqartë.

Mosmarrëveshjet dypalëshe dhe qasje të ndryshme, për Bregun, janë ato që kanë sjellë vonesa në krijimin e zonës së përbashkët ekonomike dhe çka dukej si prioritare, sot nuk është gjithmonë e tillë.

Gjatë samitit të Procesit të Berlinit në Korrik, u hodh ideja e udhëtimit me karta identiteti në rajon. Ne e kuptojmë që në rrafshin dypalësh, vijoi ajo, kjo është tejet vështirë për t’u arritur, por kemi një histori suksesi të bashkëpunimit rajonal.

“Të gjithë së bashku ia dolëm mbanë për Marrëveshjen “Roaming”, e cila u nënshkrua nga të gjashta ekonomitë e rajonit”- u shpreh Bregu, duke shtuar se “Bashkëpunimi rajonal merr kuptim, kur objektivi përfundimtar është integrimi europian.”

Meqenëse zgjerimi do të thotë të lidhësh tregjet dhe njerëzit, nënvizoi ajo, ne besojmë se çdo iniciativë për të hequr barrierat që ekzistojnë në rajonin tonë, është domosdoshmëri dhe, si e tillë, duhet marrë në konsideratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë