Bledar Hoti - Ministria e Drejtësisë po harton prej ditësh draftin për dhënien e Amnistisë së të Burgosurve për festa e fundvitit. Gazeta Si ka siguruar projektligjin paraprak, ku janë përcaktuar kategoritë e përfituesve.
Sipas burimeve drafti nuk është final dhe po përpunohet nga ministria e Drejtësisë për t'u paraqitur më pas për miratim në Qeveri. Në pikën tre të draftit që pritet të miratohet nga qeveria parashikohen edhe kategoritë që përfitojnë nga falja. Shtatori i vitit 2019 është përcaktuar si afati i fundit i faljes së personave të dënuar. “Amnistohen personat e dënuar meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna, deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi. Amnistohen personat e dënuar femra dhe të mitur me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi”, thuhet në propozimin e nenit 3.
Gjithashtu në këtë draft paraprak është parashikuar që të amnistohen personat e dënuar meshkuj me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.
Falja e grave të burgosura dhe mosha e dënuarve
Sipas projektit paraprak parashikohet që të falen edhe të burgosura gra, madje ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj më herët pati deklaruar se do të kishte përparësi me hartimin e ligjit kjo kategori. Në pikën katër të nenit 3, sanksionohet se “Amnistohen personat femra dhe të mitur të dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet”. Gjithashtu është vendosur që të amnistohen personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç, si dhe personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç. Qeveria ka parashikuar që të amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
“Të gjithë të dënuarve femra dhe të mitur që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas paragrafëve 2, 4, 5 dhe 7 të këtij neni, u zbritet 1/4 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji. Nuk përfitojnë sipas këtij paragrafi, personat e dënuar përsëritës të së njëjtës vepër penale”, thuhet në propozimin e ministrisë. Rreth 700 persona mund të përfitojnë nga kjo amnisti, por shifra mund të ndryshojë pasi drafti të shqyrtohet në komisionin e Ligjeve dhe më pas për miratim në Parlament.
Aministi për çështjet në gjykim
Në draftin e siguruar nga Gazeta “Si” parashikohet pushimi i hetimeve penale të çështjeve në të gjitha nivelet për ato vepra penale që Kodi parashikon dënim maksimum deri në 2 vjet apo çdo lloj tjetër dënimi më të butë, e kjo me përjashtim të veprave të parashikuara nga neni 4 i këtij ligji, si dhe paragrafi i parë i nenit 124/b, paragrafi parë i nenit 235, paragrafi i parë i nenit 236, paragrafi i parë i neni 246,neni 246/a dhe paragrafi parë i nenit 247, të Kodit Penal.
“Nuk përfitojnë nga ky nen personat, që i janë shmangur ndjekjes penale apo procesit hetimor të kryer nga organi procedues deri në datën 30.09.2019 ose personat përsëritës të së njëjtës vepër penale”, thuhet në këtë propozim. Gjithashtu në këtë draft janë hequr si përfitues edhe ato preken nga ligji i Dekriminalizimit, dhe personat funksionarë publikë, që janë në ndjekje penale në hetime paraprake ose në proces shqyrtimi gjyqësore në çdo fazë apo nivel gjykimi. Nuk përfitojnë nga ky nen, personat, e akuzuar për një nga veprat penale që parashikon neni 59, i Kodit të Procedurës Penale. Këtu përjashtohen edhe ato persona që janë dënuar për shpifje. Aministia pritet të miratohet në qeveri dhe më pas të kalojë në Parlament. Si rregull duhet një shumicë të cilësuar votash. Tre vite më parë u tentua që të kishte një amnisti, por mungesa e konsensusit me opozitën detyroi që qeveria të mos ta miratonte. Tashmë me opozitën e re shpreson që ta votojë Amnistinë.
Neni/ kush përfiton nga amnistia
Amnistohen personat e dënuar meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna,deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
Amnistohen personat e dënuar femra dhe të mitur me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
Amnistohen personat e dënuar meshkuj me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.
Amnistohen personat femra dhe të mitur të dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.
Amnistohen personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.
Amnistohen personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.
Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
Të gjithë të dënuarve femra dhe të mitur që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas paragrafëve 2, 4, 5 dhe 7 të këtij neni, u zbritet 1/4 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji. Nuk përfitojnë sipas këtij paragrafi, personat e dënuar përsëritës të së njëjtës vepër penale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.