11-vjeçari Alvin Berisha më në fund ka arritur të përqafojë babain dhe dy motrat e tij, në aeroportin Fiumicino të Romës. Alvin është transferuar me një fluturim të Alitalias (AZ 827) që ka mbërritur pak pas orës 7:00 në këtë aeroport, nga Bejruti. 11-vjeçari shqiptar që u rrëmbye nga e ëma në dhjetor të vitit 2014 për t’iu bashkuar forcave të ISIS, është kthyer më në fund në Itali.
I vogli kishte përfunduar në kampin e refugjatëve Al-Hol, në verilindje të Sirisë, pasi nëna e tij kishte humbur jetën si pasojë e një shpërthimi. Video është shpërndarë nga ‘Croce Rossa Italiana’, ku siç shihet janë momente tejet prekëse.
11-vjeçari iu dorëzua familjes nga punonjësit e Kryqit të Kuq dhe Gjysmë Hënës së Kuqe. “Alvin është në Itali! Tani është në krahët e babait dhe motrave së tij!
” shkruan Kryqi i Kuq Italian.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj nga Roma ku ishte i pranishëm në momentin që Alvini iu dorëzua familjarëve u shpreh se rasti i 11-vjeçarit është një mesazh që terrorizmi dhe dhuna nuk duhet të ketë hapësirë në shoqërinë tonë.
"Ka pasur një dimension të rëndësishëm diplomatik dhe një aspekt të rëndësishëm policor nga dy vendet. Unë nuk dua të hyj në detajet e operacionit, dua vetëm dhe për këtë kam ardhur sot në Romë, për të shprehur falenderimit e qeverisë shqiptare së pari për autoritetet policore të dy vende, Presidentin e Kryqit të Kuq Italian dhe ndërkombëtar dhe të Gjysmë Hënës së Kuqe.
Dua të them se edhe autoritetet libaneze mbështetën operacionin në terren. Po e përdorim politikisht për të dhënë disa mesazhe të rëndësishme. Alvin Berisha është një rast i trishtuar që duhet të na tregojë të gjithëve, që dhuna dhe terrorizmi mos gjejë asnjë hapësirë në shoqërinë tonë dhe këto raste të mos përsëriten më. Faleminderit që mundësuat që një djalë shqiptar të rikthehet në liri" tha ai.
Ndërkohë, një përfaqësuesi i Ministrisë së të Brendshëm Italiane ka treguar se Alvini u nxorr nga kampi nëpërmjet një korridori humanitar.
Më pas Alvini qendroi një natë në një hotel në Damask. Ai udhëtoi pastaj nga Siria në Beirut dhe mëngjesin e sotëm mbërriti në Itali. Gjithçka nisi nga Le Iene dhe ngjalli emocione të forta. Alvini është tani në shtëpi, por ka edhe fëmijë të tjerë në kamp. Nuk mund ti lëmë në Siri. Duhet tu rikthejmë fëmijërinë. Alvini ishte fëmija i parë, por ka shumë të tjerë në kamp” tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.