Lajme

Atentatorin e prokurorit e tradhton pështyma, arrestohet në kufi

Policia ka arrestuar shtetasin Redjan Rraja, i cili dyshohet se ka lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, që ndodhi pasditen e së premtes në mbikalimin e Shkozetit, pranë autostradës Tiranë-Durrës.
Redjan Rraja është nipi i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.
Nga ngjarja e ndodhur ngelën të plagosur edhe dy të tjerë, shoferi i Ndojit dhe shoku i tij, Aleksander Laho dhe Arlind Maloku.
Mësohet se shoqërimi i tij është bërë mesditën e djeshme dhe ditën e sotme i është prerë fleta e arrestit. Ai është ndaluar duke tentuar të largohet nga Shqipëria.
Arrestimi i Redjan Rrajës erdhi pas kontrolleve të ushtruara gjatë mbrëmjes së djeshme dhe paradites së sotme në banesat e Krujës të Durrësit dhe të Tiranës, me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Ai mësohet se është identifikuar nga gjurmët e ADN-së të mbetura në makinën e dyshuar të autorëve për atentatin në mbikalimin e Shkozetit, ku u qëllua mbi makinën ku udhëtonte prokurori Arjan Ndoja dhe dy të tjerët. Pështyma e gjetur në një nga maskat e lëna në makinë (e cila nuk u dogj), ka çuar në identifikimin dhe zbulimin e Redjan Rrajës.
Gjurmët e gjetura në makinën tip “Benz” kanë pasur përputhshmëri me shenjat e gishtave të Redjan Rrajas, i cili rezulton i skeduar nga policia për precedentë të mëparshëm penale.
Redjan Rraja është me profesion stomatolog dhe ka qenë i dënuar për prishje provash lidhur me ngjarjen ku mbeti i vrare Elton Çiço. Po ashtu emri i tij shfaqet edhe në çështjen “Xhisiela”.
Dje ai u shoqërua nga policia si i dyshuar kryesor edhe një shtetas nga Fushë-Kruja.
Katër ditë nga ngjarja që trazoi vendin FNSH, RENEA dhe Policia e Durrësit me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda kanë vijuar kontrollet në 20 banesa në 5 qytete të ndryshme, Krujë, Fushë-Krujë, Durrës, Tiranë dhe Elbasan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë