Lajme

Mbush 90 vjeç, Meta i dërgon lule kryepeshkopit Janullatos

Presidenti Ilir Meta uron kryepeshkopin e Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos me rastin e 90-vjetorit të lindjes së së tij. Për kryepeshkopin, Meta ka shkuar vetë dhe e ka vizituar në selinë e Kishës Ortodokse, duke i dhuruar edhe një buqetë me lule me trëndafila të bardhë.
“Me rastin e 90-vjetorit të lindjes, i urova sot jetë të gjatë, vite të bekuara dhe shumë dashuri në misionin e Tij hyjnor, Fortlumturisë së Tij Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos. Mirënjohje e veçantë për gjithçka ka bërë në këto vite për Lavdinë e Zotit, për të mirën e Kishës dhe besimtarëve ortodoksë shqiptarë, për njohjen ndërkombëtarisht të saj dhe të Shqipërisë, për forcimin e harmonisë dhe mirëkuptimit mes besimeve në vendin tonë. Perëndia e bekoftë Fortlumturinë dhe veprën e Tij të ndritur! Qeveria”, shkruan kreu i shtetit në postimin e tij.
Në dhjetor të vitit 2017 do të ishte vetë presidenti Ilir Meta që do t’i jepte shtetësinë shqiptare kryepeshkopit, i cili u caktua si drejtues i Kishës Ortodokse që nga viti 1992. Kërkesa e tij ishte refuzuar nga të gjithë presidentët shqiptarë, por Meta në dekretin e tij theksonte see mori këtë vendim nisur nga ndjeshmëritë për këtë çështje.
Hirësia e tij Janullatos ka lindur më 4 nëntor 1929 në Pire të Greqisë dhe momenti i fronëzimit të tij si kryepeshkop i kishës ortodokse autoqefale shqiptare në vitin 1992 u shoqërua me kundërshtimin e një pjese të ortodoksëve shqiptare. Kundërshtimet erdhën pikërisht sepse Anastas Janullatos nuk ishte shqiptar dhe kjo mund të çonte në humbjen e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare. Madje në vitin 1994 u tentua me projektkushtetutën e re largimi përfundimtar i Kryepeshkopit, por kushtetuta u rrëzua me referendum më 6 nëntor 1994.

Sipas Kishës Ortodokse, Janullatos erdhi në Shqipëri në moshën 62-vjeçare dhe për 28 vite deri më sot, së bashku me bashkëpunëtorët klerikë dhe laikë vendas edhe të huaj e ringjalli Kishën e shkatërruar deri në themel. Përgjatë këtyre viteve u riorganizuan 460 enori orthodhokse në qytete e fshatra ku zhvillohen veprimtari liturgjike predikuese e katekiste. Janë ndërtuar mbi 150 Kisha të reja, të vogla, të mëdha edhe katedrale madhështore në shumë qytete të Shqipërisë, janë restauruar 60 kisha, manastire, monumente kulture, janë riparuar 160 kisha, janë blerë dhe rikonstruktuar më shumë se 70 godina për kopshte, shkolla, qendra rinore, qendra shëndetësore, selitë mitropolitane, shtëpi pritje, punishte, mensa për të varfërit, e tërë vepra ndërtuese arrin mbi 450 objekte, po ashtu ndërtimi i hidrocentralit HEC Rapuni 3&4 (Librazhd), 2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë