Analize

Shqipëria nuk po di si të riatdhesojë 53 gratë dhe fëmijët “peng” në Siri. Mund të mësojë nga Kosova

“Sara ku je?” Këto ishin fjalët e para shqip që u dëgjuan nga kampi “Al Hol” në Siri. Do të ishte gazeta amerikane “New York Times” ajo që do të filmonte rastësisht disa fëmijë shqiptarë brenda kampit fatkeq ku po mbahen peng familjarët e luftëtarëve të ISIS. Por edhe pse kanë kaluar muaj, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk ka marrë në atdhe asnjë nga fëmijët dhe gratë e bllokura mes ferrit në Lindjen e Mesme.

Bedri Elezi, drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare në Kosovë, zbulon per Gazeten "Si" se në kampin e ruajtur nga kurdët në Veri të Sirisë janë strehuar rreth 53 fëmijë dhe gra nga Shqipëria, të cilët presin mes dëshpërimit të kthehen në vendin e tyre.

"Gjithsej në Kampin Al Hol janë 144 shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi”, i thotë ai gazetës.

Gazeta "Si" ka kontaktuar me Ministrinë e Brendshme, por ajo nuk ishte në gjendje të jepte një përgjigje, duke thënë se kjo është një çështje shumë e komplikuar. Burimet nga kjo ministri thonë për Gazetën "Si" se shteti shqiptar është i pafuqishëm pa ndihmën e organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare.

Bedri Elezi, Gazeta Si, 1 nentor 2019

Nga ana e tij, Elezi ofron ta ndihmojë qeverinë shqiptarë të kthejë në shtëpi fëmijët dhe gratë e bllokuar në Al Hol, duke thënë se komunikuar me zyrtar kurd, i cili është i gatshëm të ndihmojë Shqipërinë në këtë proces.

Por cila është procedura e riatdhesimit të shqiptarëve që po mbahen në Siri dhe sa të të vështirë e ka shteti shqiptar t’i kthejë në shtëpi gratë dhe fëmijët e mitur?

“Shteti shqiptar fillimisht duhet të vendosë kontakte me zyrtarët kurdë, të cilët aktualisht kane nën kontroll kampin, të shkëmbejnë gjeneralitetet e personave shqiptare në atë kamp dhe kështu të filloj procesi i transferimit te tyre deri ne Irak ne Erbil”, shpjegon Bedri Elezi për Gazetën Si. Nga Erbili,do të mund te organizohej një fluturim për në Tiranë. Aktualisht zyrtaret kurd janë shumë të interesuar të zhvendosin familjaret e pjesëtareve të ISIS për shume arsye, e sidomos finaciare”, thotë eksperti i sigurisë.

Zoti Elezi tregon për Gazetën Si se Instituti për Studime Ndërkombëtare në Kosovë po mban kontakte me gratë shqiptare në kampin Al Hol,

“Ato na kanë treguar se situata aktualisht është e qetë, por shume e brishtë”, thotë ai.

Do të ishte historia e Alvinit të vogël ajo që do të bënte publikun shqiptar të kthente kokën nga këta fëmijë, një pjesë e të cilëve kanë humbur nënat dhe janë në gjendje aq të rënduar psikologjike saqë nuk flenë për ditë të tëra. Por vendi ynë nuk arriti të tërhiqte as Alvinin, duke detyruar Këshillin e Ligurias në Itali të votonte dy ditë më parë një rezolutë për ta sjellë vogëlushin në shtëpi.

https://www.youtube.com/watch?v=eD7hDRTWKjY


Megjithatë, çështja e riatdhesimit të shqiptaëve që shkuan drejt Sirisë për të luftuar krah ISIS-it duket të jetë aq urgjente, saqë u përmend edhe nga kandidatja për ambasadore amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Diplomatja deklaroi para dy ditësh se do të punonte me autoritetet shqiptare për rikthimin e tyre në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur.

Në kampin “Al Hol” në Siri po mbahen peng kryesisht fëmijë dhe gra shqiptare, që kanë shkuar në Siri, për shkak të bashkëshortëve të tyre, të cilët vendosën 4-5 vite më parë t’i bashkohen grupit të Shtetit Islamik.

Një shembull nga Kosova

Kosova u bë një nga vendet e para në botë që mori qytetarët e saj nga zonat e konfliktit në Siri. Së fundmi ajo ka kthyer në shtëpi 110 kosovarë duke përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe katër luftëtarë.

Alvin Berisha takon babain e tij. Gazeta Si, 1 nentor 2019

Elezi tregon se Kosova ka bashkëpunuar ngushtë me qeverinë amerikane.

“Ushtria amerikane ka bashkëpunuar me ushtrinë kurde për organizimin e transferimit te tyre nga kampi Al Hol deri ne Erbil. Ne nga Instituti për Studime Ndërkombëtare mendojmë se ç'do vonese ne kthimin e tyre, do të rrezikonte të gjithë procesin, sidomos duke pasur parasysh e kërkesën e presidentit amerikan Donald Trump, që shtet të marrë qytetarët e tyre nga kampet kurde në Siri”, i thotë ai Gazetës Si.

Kosova ka nisur që në vitin 2017 operacionin për riatdhesimin e shumë prej luftëtarëve që iu bashkuan ISIS-it në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë të Koalicionit Global kundër Shtetit Islamik.

Çdo riatdhesim i qytetarëve të Kosovës ka ardhur pas bashkëpunimit ndër-institucional. Qeveria e Kosovës ka hartuar po ashtu një program për rehabilitimin dhe riintegrimin e ish-luftëtarëve të Shtetit Islamik dhe familjeve të tyre, përfshirë këshillimin, ushqimin, strehimin dhe ndihmën për gjetjen e punës.

Kampi Al Hol. Gazeta Si, 1 nentor 2019

Afërdita Jaha, e cila drejton zbatimin e strategjisë kombëtare të Kosovës për parandalimin e radikalizmit është e bindur se riintegrimi i grave dhe fëmijëve që i kanë shpëtuar lufrave në Lindjen e Mesme do të jetë e vështirë, por se qeveria ka përfshirë ndihmën shëndetësore ekonomike dhe sociale.

"Pas kthimit të këtyre fëmijëve nga zonat e luftës në Siri dhe Irak, ne po analizojmë mundësinë e ofrimit të një trajnimi të specializuar për integrimin e tyre sidomos për sa i përket rikthimit të fëmijëve në shkolla," thotë Jaha për "Radio Europën e Lirë".

Fëmijët shqiptarë presin të kthehen në shtëpi

Por ndryshe nga Kosova që është përfshirë në mënyrë institucionale për këtë operacion ndërkombëtar me qëllim shpëtimin e jetës dhe riatdhesimin e qytetarëve të saj, institucionet shqiptare, nuk dihet ende se çfarë janë duke bërë. Ajo që mund të themi me siguri deri tani është se shteti shqiptar nuk ka riatdhesuar asnjë nga gratë e fëmijët të luftëtarëve të ISIS –it.

Sipas një studimi të vitit 2017 nga Qendra Soufran në Nju Jork, një organizatë hulumtuese për sigurinë globale, vetëm atë vit në shtetin Islamik kishte rreth 90 veta nga Shqipëria,138 nga Kosova dhe 140 nga Maqedonia e Veriut.

Kampi Al Hol. Gazeta Si, 1 nentor 2019

Eksperti i sigurisë dhe diplomacisë Adrian Shtuni, i cili pak kohë më parë publikoi një raport të detajuar shqiptarët që ju bashkuan ISIS, deklaron në një status në Facebook, se në vendin tonë janë kthyer 45 nga këta luftëtarë.

"Numri i fëmijëve me nëna shqiptare që kanë lindur atje është rreth 150, por është shumë e vështirë ta përcaktosh me saktësi nësë janë nga Kosovë, Shqipëria apo Maqedonia. Të kthyerit në Shqipëri janë diku te 45, por duhet të bëjmë një diferencim sepse nuk janë të riatdhesuar, por kthyer me dëshirë”, thote ai. “Kosova nga ana tjetër ka bërë riatdhesimin e diku 110 personave, por Shqipëria deri më tani nuk e ka bërë riatdhesimin dhe ky është problem që duhet të marrë zgjidhje në të ardhmen”, thekson eksperti. Sipas Sthunit, riatdhesimi duhet të bëhet sidomos për fëmijët.

“Ata nuk kanë shkuar me vetëdije, por janë viktima. Pra mund të riatdhesohen dhe të punohet me ta, duke shpresuar se do të rehabilitohen dhe riintegrohen. Shtete di Belgjika, Franca, Norvegjia etj, kanë riatdhesuar fëmijët pa prindër. Por sa më shumë rrinë aty, aq më e vështirë bëhet rehabilitim. Ata nuk do të rrinë atje përgjithmonë" deklaron ai.

Zyrtarë në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq janë shprehur se gratë dhe fëmijët që kanë jetuar në kampe gjatë gjithë kohës, kanë nevojë për kujdes të veçantë, sidomos të miturit të cilët mund të preken nga sëmundje ose të abuzohet me ta.

Kampi Al-Hol është një vend i dëshpëruar,i pistë, i mbipopulluar dhe i mbushur me njerëz që askush në botë nuk dëshiron. Një zyrtar i dëshpëruar kurd thotë për "CNN" se ky vend ishte si "Kombet e Bashkuara të të Huajve", por asnjë qeveri e vetme nuk po ndihmonte në mënyrë të përshtatshme për të ndarë barrën. Aty pak ushqim, ngrohje apo kujdes shëndetësor këtu, por ka shumë zemërim dhe dëshpërim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë