Policia Rrugore ka vijuar kontrollet e forta në terren, duke gjobitur mijëra shoferë e pezulluar dhjetëra patenta.
Me anë të një njoftimi zyrtar, policia thotë se gjatë 48 orëve të fundit, në të gjithë vendin, 31 drejtues mjetesh janë vënë në pranga, 16 vetëm në Tiranë, 186 patenta të pezulluara dhe 4 624 masa administrative të vendosura për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Në sajë të operacionit “Tispol”, policia ka zhvilluar kontrolle të organizuara në të gjithë vendin, duke përdorur mjetet speciale për kontroll, si dragera e radarë.
Siç njofton policia, gjatë 48 orëve që u zhvillua operacioni “Tispol”, në të gjithë vendin u arrestuan 31 drejtues mjetesh, nga këta 18 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 13 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Duke përdorur aparatet drager gjatë 48 orëve janë evidentuar dhe u është pezulluar leja e drejtimit 74 drejtuesve të mjeteve, të cilët drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit.
Gjithashtu nga kontrollet parandaluese, u konstatuan me radar 76 drejtues mjetesh, të cilët qarkullonin me shpejtësi që varionte nga 140 km/h deri në 174 km/h.
Po ashtu, janë pezulluar dhe dërguar në OASH edhe 36 drejtues mjetesh, për shkelje të tjera që parashikohen nga Kodi Rrugor, me masë ndëshkimi pezullim patente.
Janë vendosur 646 masa për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit, të cilat evidentuar nga shërbimet e kombinuara me punonjës policie civilë.
321 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit, 578 për parakalime të gabuara, 87 për mosvendosje të kaskës mbrojtës, 11 për gara shpejtësie, ndërsa pjesa tjetër prej 2 981 masash administrative janë vendosur për parkime të gabuara e shkelje të tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.