Një fazë kampionati mjafton për të krijuar një ide për skuadrat që pretendojnë titullin, ato që synojnë zonën europiane dhe ato që luftojnë për mbijetesë. Por ky kampionat i Superiores është i vështirë të deshifrohet. Vendin e parë dhe vendin e tetë, që duhet të luajë ndeshje shtesë për të qëndruar në elitë, i ndajnë vetëm 4 pikë. Asgjë nuk mund të parashikohet. Edhe pretendentët kryesorë për titull nuk kanë krijuar diferencë me pjesën tjetër.
Përjashtim mund të bëjnë kampionët në fuqi të Partizanit, që kanë të njëjtën kuotë pikësh me Bylisin, Tiranën dhe Teutën, nga 17, por të kuqtë kanë avantazhin se kanë edhe një ndeshje për të luajtur, atë me Kukësin. Kjo sfidë zhvillohet sot në orën 18:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Partizanit i mjafton edhe një pikë për t’u shkëputur nga të tjerët, por sigurisht që të kuqtë nuk kënaqen me pak. Trajneri Franko Lerda po krijon tashmë një skuadër më solide, në formë shumë të mirë. Kukësi i Duros ka mbetur prapa dhe në një sfidë ndaj një rivali minimumi duhet të evitojë humbjen. Është një ndeshje delikate për Kukësin, që ka më shumë presion për situatën ku ndodhet. Partizani patjetër synon t’i japë goditjen e dytë, për ta hequr nga lista e rivalëve për titullin, edhe pse është ende herët. Pritet një ndeshje e hapur, ku fjalën e parë do ta kenë sulmuesit.

Flamurtari-Skënderbeu është ndeshja tjetër që luhet sot për javën e 10-të të kampionatit. Vlonjatët do të drejtohen sot nga trajneri i portierëve, Luan Birçe, pasi ende nuk është zyrtarizuar pasuesi i Sadedinit. Dy skuadrat vijnë në këtë ndeshje me një diferencë të frikshme pikësh mes tyre. Korçarët janë 11 pikë para Flamurtarit, që ka vetëm 2 pikë pas 9 ndeshjesh dhe qëndrimi në Superiore duket një mision i pamundur.
Tri ndeshjet e tjera të javës së 10-të u zhvilluan dje, ku Tirana fitoi pastër në Gjirokastër, 0-3, ashtu si Laçi që mundi me të njëjtin rezultat Vllazninë. Bylisi dhe Teuta, dy nga katër skuadrat kryesuese, ndanë nga një pikë në stadiumin e Ballshit. Partizanin mund të shkëputet sot në krye të renditjes, mjafton të mos humbë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




