Lajme

SPAK ngrihet për 30 ditë. Drejtuesi i përkohshëm, si modeli Arta Marku

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion do të krijohet brenda 30 ditëve. Ky është vendimi i marrë nga ana e Këshilli i Lartë i Prokurorisë që në mbledhjen e sotme ka mbështetur variantin që kjo strukturë e posaçme që synon të godasë nivelet e larta të korrupsionit të zyrtarëve të krijohet me 8 prokurorë. Fillimisht është hedhur ideja që SPAK të krijohet me 10 anëtarë, duke krijuar sistemin e prokurorë të përkohshëm brenda sistemit, ndërsa tetë të tjerë janë që e kanë kaluar procesin e Vettingut. Por kjo është rrëzuar nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
‘Brenda 30 ditëve, ose brenda muajit nëntor 2019, në mbledhje Plenare të Këshillit të përmbyllet procedura e ngritjes në detyrë për 8 prokurorët kandidatë për Prokurorinë e Posaçme dhe të kryhet emërimi i tyre pranë kësaj prokurorie”, thuhet në vendimin e KLP-së.
Në pikën e dytë të këtij vendimi, përcaktohet se gjatë kësaj periudhe tranzitore, komisioni propozon që Këshilli të përgatisin aktet e nevojshme për t’u miratuar. Këto përfshijnë vendimet për emërimet e 8 prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme; vendimin për caktimin e përkohshëm të drejtuesve të Prokurorisë së Posaçme deri në kryerjen e procedurave për zgjedhjen e një drejtuesi sipas rregullores. Gjithashtu në të përcaktohet se KLP do të vendosë për ndërprerjen e caktimeve të përkohshme për Prokurorë që janë emëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ushtrojnë detyrën pranë një prokurorie tjetër.

Kryetari i KLP, Gent Ibrahimi. Gazeta Si, 25 tetor 2019

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi pas mbledhjes së KLP u shpreh për arsyet e këtij vendimi. “Brenda një harku kohor prej 30 ditësh ne do t’i marrim emërimet e nevojshme me tetë prokurorë për krijimin e SPAK. Këshilli nuk e gjykoi të përshtatshme emërimin me 10 prokurorë. Ne mendojmë se nuk na takon që ta marrim këtë përgjegjësi, por i takon drejtuesit të ri të SPAK. Ky drejtuesi i ri mund të ta përcaktojë këtë procedurë me lëvizje të prokurorëve. Ne nuk po krijojmë prokurorinë e Posaçme po emërojmë prokurorët e SPAK”, theksoi Ibrahimi për mediat.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, kreu i KLP-së theksoi se funksionimin e SPAK e ka të caktuar Kushtetuta, në maksimale me 15 anëtarë dhe në minimale me 10 anëtarë. “Ne nuk e shkelim Kushtetutën me dhënien e kompetencës së drejtuesit të SPAK për të përcaktuar organikën e punës së prokurorëve të kësaj strukture. Nuk mbajmë asnjë përgjegjësi për organikën e SPAK, atë e ka përcaktuar Kushtetuta”, theksoi Ibrahimi.

Kryetari i ri, së bashku me Parlamentin, sipas kreut të KLP-së, do të përcaktojnë se sa është numri i nevojshëm i prokurorëve që SPAK të funksionojë.“Ne nuk marrim asnjë vendim për organikën, ne emërojmë vetëm ata që mund të emërojmë. Nuk marrim ne përsipër përgjegjësinë për ngritjen e SPAK, por është kryetari i SPAK që vendos”, u shpreh Ibrahimi.

SPAK do të nisë punën më 25 nëntor dhe Ibrahimi tha se plotësimi i dy vendeve për numrin dysheme do të realizohet brenda 30 ditëve. Tetë anëtarët e emëruar kanë kaluar të gjitha hallkat e vetting-ut, por anëtarët e KLP vendosën që të mos komandonin dy prokurorë të tjerë përkohësisht, të cilët mendohet se do të ishin Vladimir Mara dhe Dritan Prençi. “Këshilli nuk e gjykoi të përshtatshme atë linjë veprimi, ku numri dysheme të plotësohej përmes një përcaktimi të përkohshëm”, tha Ibrahimi.

Prokuroria e Posaçme sipas ligjit ka në përbërje të saj 15 anëtarë, por në mungesë të prokurorëve që nuk kanë kaluar Vettigun, është hedhur ideja se SPAK mund të funksionojë edhe me dhjetë prokurorë. Në kushtet kur as numri minimal nuk krijohet, po hidhet ideja që kjo strukturë të funksionojë me 8 prokurorë. Ndërkaq edhe për SPAK do të vijojë me caktimin e drejtuesi të përkohshëm, një praktikë e ndjekur kjo edhe me prokurorin e Përgjithshëm. Ngritja e SPAK sjell një tjetër problematikë, pasi me ngritjen e kësaj strukture duhet të pushojë së ekzistuari Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ndërsa fati i SPAK është i ndërvarur edhe nga ngritja e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, e cila është tejet mbrapa me këtë proces, ndryshe nga procesi i SPAK.

Tetë prokurorët që kaluan Vettingun:

Altin Dumani
Arben Kraja
Klodian Braho
Enkeleda Millonaj
Edvin Kondili
Ened Nakuçi
Elida Kaçkini
Behar Dibra


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë