Lajme

Lajme shkurt nga bota

Një sërë zyrtarësh të lartë amerikanë e kritikuan vendimin e Bashkimit Europian për shtyrjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke thënë se kjo do t’i hapte derën ndikimit më të madh rus.
"Ne duhet t’i ofrojmë një mundësi për Ballkanin që të shikojë nga Perëndimi, jo nga Rusia dhe Lindja", tha senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, në një seancë të Kongresit Amerikan, kushtuar rajonit.
"Mendoj se BE-ja dështoi të dërgojë një mesazh për vendet e Ballkanit Perëndimor se ato nuk duhet të vazhdojnë me reformat, se nuk duhet të vazhdojnë të shikojnë nga Perëndimi dhe të përqafojnë vlerat e tij", tha senatorja Shaheen.
Po ashtu i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer, u tha senatorëve se Departamenti i Shtetit është " thellësisht zhgënjyer " nga vendimi i BE-së.

Të 39 personat e gjetur të vdekur në një kamion në Esiks të Britanisë ishin shtetas kinez. Policia është duke marrë në pyetje drejtuesin e kamionit, Mo Robinson, 25-vjeçar, i cili është arrestuar nën dyshimet për vrasje.
Zyrtarët në Irlandën Veriore kanë bastisur dy shtëpi derisa Agjencia Britanike e Krimeve ka njoftuar se është duke punuar për të identifikuar “grupet e krimit të organizuar të përfshira në këtë tragjedi.
Kamioni kishte mbërritur në Britani nga Belgjika por ishte i regjistruar në Bullgari.
Stafi i ambulancës ka zbuluar trupat e 38 të rriturve dhe një adoleshenti në parkun industrial, Waterglde.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar ditën e sotme se regjimi i kontrollit të armëve po shkatërrohet.
"Këto janë kohë të vështira për kontrollin e armëve", tha Stoltenberg në një konferencë të NATO-s në Bruksel, në lidhje me këtë çështje.
Konferenca vjen disa muaj pasi Uashingtoni është tërhequr nga Traktati për Armët Bërthamore, pas akuzave ndaj Moskës se kishte shkelur këtë marrëveshje, që daton nga periudha e Luftës së Ftohtë. Moska u tërhoq po ashtu nga Traktati.
Stoltenberg akuzoi edhe Korenë Veriore e Iranin për “injorim apo shkelje të rregullave globale si dhe shpërndarje të teknologjisë së rrezikshme dhe raketave në gjithë botën”.
Ai theksoi se aleanca ushtarake perëndimore është e përkushtuar për kontrollin e armëve, çarmatimin dhe mospërhapjen bërthamore, por se mission po bëhet i vështirë.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara do të largohen zyrtarisht nga Marrvëveshja e Parisit për Klimën. Trump e ka përshkruar marrëveshjen si të padobishme dhe ka thënë se politikat e tij pro-karburanteve i kanë kthyer Shtetet e Bashkuara në superfuqi.
Procesi i largimit të SHBA-së nga kjo marrëveshje pritet të fillojë në 4 nëntori.
Largimi do të nisë së zbatuari një vit më vonë, përkatësisht një ditë pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA më 2020.
Marrëveshja e Parisit për Klimën ka mbledhur bashkë 195 kombe, në betejë kundër ndryshimeve klimatike. Sipas marrëveshjes, SHBA-ja duhet të ulë nivelin e gazrave serrë me 28 për qind deri në 2025.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë