Lajme

Apeli dënon me 10 vite burg Klement Balilin

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke dënuar me 10 vjet burg Klement Balilin, dënim me gjykim të shkurtuar.
Klement Balili, i etiketuar ndryshe edhe si “Eskobari i Ballkanit”, do të kalojë 10 vite pas qelisë nën akuzat për trafik droge, për pastrim parash, fshehje të pasurisë dhe për grup kriminal dhe dënimin.
Prokuroria kërkoi 18 vite, gjykata vendosi 15 vite, por duke qenë se u pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar, u ul 1/3 duke u dënuar përfundimisht me 10 vite burg.
Balili nuk ka qenë i pranishëm sot në seancën e Gjykatës së Apelit, ndërsa vendimi i Shkallës së Parë u ankimua nga mbrojtja e Balilit, që kërkoi pafajësi.
Arrestimi i tij u bë më 15 janar të vitit 2019, pas dy vitesh kërkimi nga ana e policisë kombëtare dhe ndërkombëtar për trafik droge. Por arrestimi i tij u bë vetëm pas negociatave mes policisë dhe avokatit të tij. Të martën e 15 janarit Klement Balili u vetëdorëzua në polici pas negociatave ku u përfshinë avokati i tij Theodhori Sollaku, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu si dhe nipi i tij, i cili mban dhe postin e kryetarit të Bashkisë së Delvinës, Rigels Balili.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë