Lajme

Rekomandimet e OSBE/ODIHR, Glover takon politikën e Tiranës

Audrey Glover, shefja e misionit të monitorimit ndërkombëtar të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit u rikthye në Tiranë për të zhvilluar takime me udhëheqës të partive politike në Shqipëri, për të diskutuar mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Glover takimin e parë e ka zhvilluar me kryedemokratin Lulzim Basha. Biseda në selinë e PD-së ka zgjatur për 60 minuta.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, shefja e misionit të OSBE/ODIHR Audrey Glover tha pas takimit me kreun e PD në Tiranë, se në fokus të bisedës ishin rekomandimet në raportin për zgjedhjet. Ambasadorja nuk ka dashur të japë shumë informacione rreth takimit, ndërsa theksoi se takimet do të vijojnë përgjatë ditëve në vijim dhe se theksoi se nuk ka të parashikuar që të japë një konferencë për median mbi natyrën e takimeve.

Basha shoqëron Glover pas takimit në selinë e PD-së


“Ka pasur një keqkuptim dhe nuk ka qenë qëllimi për të pasur një konference për shtyp. Bëhet fjalë për raportin ku mbahen rekomandimet, të cilat i kemi diskutuar dhe do të vijojmë t’i diskutojmë. Jemi duke bërë diskutime, faleminderit që erdhët. Takimet do të vijojnë nesër e pasnesër, por nuk do të ketë një konferencë për shtyp. Nuk kam asgjë për t’ju thënë ju sot, në ditët në vijim do të merrni një informacion të mëtejshëm” u shpreh Glover.
Raporti i ODIHR dhe OSBE për zgjedhjet është vlerësuar së tepërmi nga ana e opozitës, duke e cilësuar si dokumenti bazë të saj që PD e cilëson si rrëzimin e zgjedhjeve pa rivalë.
Partia Demokratike ka paraqitur një platformë me propozimet e saj për realizimin e reformës zgjedhore. Opozita kërkon mbi të gjithë që të realizojë një reformë zgjedhore duke ngritur një strukturë ndërkombëtare, me përfaqësues të PS-së dhe PD-së, duke anashkaluar komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore. Gjithashtu ajo ka paraqitur një platformë prej pesë pikash që kërkon ndërhyrjen edhe në Kushtetutë.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha gjatë një postimi në Facebook shprehet se në këtë takim i ka shprehur Glover vlerësimin për kontributin e vazhdueshëm të ODIHR për proceset zgjedhore në Shqipëri .
“Reforma zgjedhore është vendimtare për ne dhe e vetmja rrugë për të dalë nga kjo krizë. T’ua hedhësh fajin të tjerëve është gjëja më e thjeshtë por nuk arrin askund! Ndaj ne duhet të besojmë dhe punojmë fort për ta realizuar këtë reformë. Opozita ka një strategji të qartë dhe është momenti për ta zbatuar pa humbur kohë!”, shprehet Basha.

Glover në takim me Bashën


Glover, edhe pse Rama ndodhej në Shqipëri, është takuar me ministren e shtetit, Elisa Spiropali e kjo në ambientet e kryesisë së Kuvendit. Ministrja ka qenë e shoqëruar në këtë takim nga deputeti i PS-së, Ervin Bushati.

Spiropali gjatë takimit me Glover


“Sot pata rastin të falënderoja shefen e misionit të OSBE/ODIHR, Audrey Glover, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë për të arrirë standardet më të larta të administrimit zgjedhor”, theksoi Spiropali.
Glover më pas ka zhvilluar një takim me anëtarët e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. Rekomandimet e OSBE dhe të ODIHR-it po kërkohen me insistim nga ndërkombëtarët për t’u miratuar brenda këtij sesioni parlamentar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë