Raporti i Venecias: Veprimet e Metës nuk justifikojnë shkarkimin
Komisioni i Venecias ka publikuar raportin zyrtar për presidentin Ilir Meta, në të cilin deklaron se “presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat me shtyrjen e zgjedhjeve lokale, por kjo mund të mos justifikojë shkarkimin e tij”.
“Në sfondin e një procedure aktuale të shkarkimit të presidentit shqiptar, Ilir Meta, për shtyrjen e zgjedhjeve lokale përtej mandatit elektoral të autoriteteve lokale, ekspertët e Këshillit të Evropës në Komisionin e Venecias konkludojnë se ndërsa presidenti mund të ketë vepruar përtej kompetencave të tij kushtetuese, indikacione se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre që mund të justifikojnë shkarkimin”, thuhet në raport.
Ekspertët e Venecias theksojnë se Presidenti nuk mund të shtyjë zgjedhjet pa konsensus politik, por gjithsesi vënë në dyshim nëse kjo mund të konsiderohet një shkelje serioze. Sipas Komisionit “edhe në rastet e emergjencave shtetërore, si lufta apo katastrofat natyrore, Parlamenti duhet të miratojë një legjislacion ‘ad hoc’ për të shtyrë zgjedhjet”.
Presidenca: Venecia, “hu” Kuvendit për rrjedhjen në media të draft-opinionit
E ndërkaq, lidhur me opinionin e Komisionit të Venecias, zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi thotë se delegacioni i Kuvendit është qortuar për rrjedhjen në media të draft-opinionit. “Propozimet e Tao Tao-s gajasën sot të madh e të vogël në Komisionin e Venecias. Hëngri një dajak të fortë, por mënd nuk zuri dhe vazhdon propogandën bajate me titra të porositura. I kujtoj Tao Tao-s “hurin” që mori nga raporteri i çështjes për rrjedhjen në media të Draft-Opinionit, për keqpërdorim politik dhe nëse nuk është ftilluar akoma, ai dhe delegacioni që e shoqëron, le të bëjnë një vizitë në Bienalen e Venecias, se ndoshta u bie stresi”, shkruan zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta.
Akademia e Shkencave për Nobelin: Ju “falëm” për Kadarenë, na ofruat urrejtjen
Reagimeve jo vetëm shqiptare por edhe ndërkombëtare për nobelistin e sivjetshëm të Letërsisë Peter Handke, u është bashkuar edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Akademia në një deklaratë për mediat është shprehur se ndihet e zhgënjyer nga vendimi i Akademisë Suedeze, pasi me këtë çmim ka krijuar një gjendje shqetësimi në Europë dhe në botë. “Akademia Suedeze nuk mund t’i lejojë vetes të inkurajojë me Nobelin e Letërsisë urrejtjen dhe konfliktin. Pavarësisht se akademia u është shmangur qëndrimeve për çmimin si pasojë e kandidaturës së Ismail Kadare, këtë herë çmimi ishte tejet indinjues”, deklaron Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
Provokon nobelisti Handke: Do pimë raki dhe verë me serbët
E ndërkaq, nobelisti Peter Handke, pas reagimeve të shumta që mori pas shpalljes së çmimit, ka provokuar sërish. Në një prononcim të shkurtër, Handke është shprehur se i vjen mirë që serbët janë të lumtur për të.
“Dua të përshëndes të gjithë njerëzit në Beograd dhe Serbi, e ndiej gëzimin tuaj për njohjen e madhe që mora, faleminderit për atë dhe në emrin tim. Sonte do të pimë raki dhe verë të bardhë ”, mësohet të jetë shprehur ai për Programin e Dytë të Radio Beogradit.
Pas marrjes së Nobelit për Letërsi nga Peter Handke, Akademia Suedeze u vu në qendër të kritikave, pasi i akordoi çmimin më të lartë mbështetësit të Sllobodan Millosheviqit.
Sportelet tatimore në dorë të ADISA-s, PD: Antiligjore dhe barrë për biznesin
Partia Demokratike thotë se vendimi i Qeverisë, i marrë në mbledhjen e datës 2 tetor, që kalon sportelet e shërbimit për bizneset nga Drejtoria e Tatimeve tek Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve të Integruara, jo vetëm që është një akt i paligjshëm, por edhe një tjetër barrë për biznesin. Veç kësaj, PD mendon se ADISA nuk ka as përvojën dhe as kapacitetet për t’i shërbyer sipërmarrjes së vogël dhe dhe mesme dhe akuzon se vendimi i fundit mbyll derën e ndihmës për biznesin. Vendimi i Qeverisë i 2 tetorit kalon nën varësinë e ADISA-s sportelet e Drejtorisë së Tatimeve dhe kalon punonjësit aktualë të këtyre sporteleve nga punonjës të tatimeve në punonjës të kësaj agjencie.
Avokati i Izet Haxhiajt: Tentohet eliminimi i tij fizik, ndërpriten deklarimet kundër Berishës
Avokati i Izet Haxhisë, Idajet Beqiri ka bërë me dije për mediat se jeta e klientit të tij si dhe të afërmve të tij është vënë në rrezik. Kjo sipas tij ka bërë që Haxhiaj të ndërpresë menjëherë deklarimet kundër Sali Berishës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Beqiri thotë se kur Izet Haxhia është shoqëruar për të bërë deklarimin, makina e tij është përplasur dhe Haxhiaj ka pësuar fraktura në kokë. Në kushte të tilla kanosjeje dhe shantazhimi, avokati i ka rekomanduar Haxhisë të ndërpresë deklarimet.
“Në kushtet e mësipërme mbrojtësi ligjor i ka rekomanduar Izet Haxhiaj ndërprerjen e menjëhershme të deklarimeve të tij para Prokurorisë së Krimeve të Rënda kundër Sali Berishës, derisa të marrim garancitë e plota nga institucionet ligjzbatuese të shtetit shqiptar për jetën e tij dhe të njerëzve të afërt të tij”, deklaron më tej avokati Idajet Beqiri.
Shkarkohet nga detyra prokurori i Tiranës, Ndini Tavani
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Prokurorisë së Tiranës, Ndini Tavani, i cili ishte kandidat edhe për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
Hetimi për të u krye në të tria kriteret e rivlerësimit, në atë të pasurisë, aftësive profesionale dhe pastërtisë së figurës.
Gjatë hetimit administrativ, mësohet se komisioni ka konstatuar pamjaftueshmëri dhe mungesë të burimeve financiare për pasuritë e deklaruara nga Tavani.
Të ardhurat e deklaruara nga prokurori, Komisionit i kanë rezultuar më pak se ç’ka deklaruar subjekti. Gjithashtu nga raporti i Komisionit rezultuan edhe probleme në pastërtinë e figurës.
Bullgaria, 20 kushte për Shkupin: Maqedonishtja nuk ekziston
Bullgaria nuk do të dalë kundër hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut, por i rezervon vetes të drejtën e bllokimit të bisedimeve në rast se në gjykimin e saj Shkupi nuk ka bërë mjaftueshëm për realizimin e më shumë se 20 kushteve që i ka vendosur. Bullgaria këshillon Bashkimin Europian që gjatë bisedimeve të heqin termin “gjuha maqedonase” dhe në vend të kësaj të përdoret termi “gjuha zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”. “Kleçka” qëndron në faktin që Bullgaria nuk e njeh si gjuhë të veçantë maqedonishten, por e konsideron atë një dialekt lindor të bullgarishtes. Telashi i ri për Shkupin, ndonëse për nga përmasat nuk duket aq sa çështja e emrit me Greqinë, nuk duhet nënvlerësuar, thonë ekspertët në Bruksel.
Apple i bindet Kinës
Apple u vendos përballë një zgjedhjeje të vështirë; të hiqte nga dyqani i vet online një aplikacion të përdorur masivisht nga protestuesit e Hong Kongut për të lokalizuar vendndodhjen e policisë, ose ta lejonte atë dhe të përballej me pasojat financiare që do të mbërrinin nga reagimi i Pekinit. Apple hoqi nga dyqani i vet aplikacionin në fjalë duke argumentuar se “aplikacioni është përdorur për të ngritur kurthe dhe sulmuar policinë, kërcënuar sigurinë publike dhe shfrytëzuar nga kriminelët për të shënjestruar banorë, dyqane dhe banesa në zonat ku e dinë që nuk ka prani policore”.
Ronaldo pa limite, 700 gola për të mbajtur larg “armikun” Mesi
Kristiano Ronaldo synon të vendosë sot një rekord të ri. Sulmuesi portugez i Juventusit ka shënuar 698 gola në karrierën e tij, sot në mbrëmje do të jetë në fushë me kombëtaren e tij ndaj Luksemburgut dhe ka shumë shanse të arrijë kuotën e 700 golave, ose ta kalojë këtë kufi. Nga CR7 në CR…700. Janë 17 vitet e një alieni të futbollit. Objektivi i radhës për portugezin është i qartë: të kapë ose kalojë shifrën e 700 golave për të mbajtur sa më larg “armikun” Lionel Mesi, i cili ka shënuar 672 gola deri tani në karrierë. Golin e parë Ronaldo e ka shënuar më 7 tetor, kundër Moreirenses në kampionat, sot në mbrëmje mund të shkojë 700 gola. Në 2002-shin Kristiano ishte 17 vjeç dhe mbante fanellën e Sportingut të Lisbonës, një djalosh ambicioz që ëndërronte “Topin e artë”. Sot është në kuotën e 698 golave dhe me Portugalinë e tij mund të vendosë një tjetër rekord, mungojnë edhe 2 gola.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.