Lajme

Kufizime për tifozët në Turqi, ndalohen banerat dhe “Autochtonus”

Më anë të një njoftimi zyrtar, Federata Shqiptare e Futbollit sqaron se për tifozët shqiptarë do të ketë kufizime nga autoritetet turke për materialet që ata do të kenë me vete në ndeshjen e sotme. Sipas njoftimit të FSHF-së, tifozëve u ndalohen banerat, megafonët apo materiale të tjera që nuk kanë lidhje me flamurin kombëtar. Për shembull, nuk lejohen fanella me imazhin “Autochtonus”. Federata sqaron se ky kufizim vjen për shkak të një ligji në Turqi.

“Njoftojmë tifozët shqiptarë që do të jenë në stadium mbrëmjen e sotme për ndeshjen Turqi-Shqipëri, se përtej gjithë insistimit dhe kërkesave të vazhdueshme ndaj zyrtarëve të ndeshjes, një pjesë e materialeve të tifozëve nuk mund të lejohen në stadium. Turqia ka një ligj sportiv që nuk lejon vendosjen e shumë materialeve në stadium. Kemi marrë konfirmimin se do të lejohen daullet për çdo grupim, flamujt shqiptarë dhe shajet me logon e flamurit kombëtar. Nuk lejohet asnjë megafon, baner ultrasish i çdo tifogrupi, baner me imazhe personale, veshje që nuk kanë lidhje direkt me flamurin kuqezi siç mund të jenë ato me imazhin “Autochtonus”.

Nuk lejohen çantat e krahut dhe të shpinës, të gjithë duhet t’i lënë në hotel ose në autobusët më të cilat udhëtojnë, pasi nuk është mundësuar një pike grumbullimi për ruajtjen e tyre. Lajmërojmë tifogrupet e organizuara se nisja për në stadium do të bëhet në orën 18:00, për arsye të kontrollit të rreptë që do të ushtrohet në 3 pikat e kontrollit përpara hyrjes në stadium”, thuhet në sqarimin e FSHF-së për tifozët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë