Podcast

Audio-Lajme shkurt 7 tetor 2019

Kurti fton LDK në koalicion dhe flet si Kryeministër: Erdhi dita!
Albin Kurti shpalli fitoren e Vetëvendosjes rreth mesnatës dhe ftoi Lidhjen Demokratike për të drejtuar bashkërisht Kosovën me Qeverinë e re. Kreu i Vetëvendosjes foli si Kryeministër i ri i vendit. Kurti premtoi më pak pushtet për vete dhe më shumë shtet për qytetarët. Tashmë, sfidë do të jetë formimi i qeverisë së re të vendit. Bisedimet mes Vetëvendosjes dhe LDK-së parashikohen të jenë të vështira dhe ato bëhen akoma më komplekse nisur nga rezultati i ngushtë mes këtyre dy forcave, duke mos përjashtuar mundësinë që LDK të këmbëngulë tek kandidatura e Vjosa Osmanit si Kryeministre e vendit. Vetëvendosje është renditur forcë e parë në 12 komuna të Kosovës, duke siguruar në total rreth 198 mijë vota, ose 26 për qind të tyre. LDK renditet forcë e dytë me rreth 193 mijë vota, ose 25 për qind të preferencave. Më pas vijnë me rahdë, PDK me 22 për qind, koalicioni AAK-PSD me 12 për qind, koalicionit Nisma-AKR me 5 për qind dhe lista serbe me 6 për qind.
Zgjedhjet në Kosovë, pakënaqësi në Serbi
Rezultati i zgjedhjeve në Kosovë nuk mund të mos komentohej në Beograd. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç u shfaq i dyzuar në një konferencë për shtyp, ku nuk fshehu as pakënaqësinë ndaj fitores së Albin Kurtit dhe as kënaqësinë e rezultatit të dobët të Ramush Haradinajt. Ndërkohë, kreu i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në qeverinë serbe, Marko Gjuriç thotë se Beogradi e ka një as nën mëngë për të “kontrolluar Qeverinë Kurti”. Asi nën mëngë, thotë ai është Lista Serbe. Kjo e fundit duket se ka siguruar dhjetë mandatet që i takojnë minoritetit serb dhe sipas parashikimeve të Kushtetutës së Kosovës duhet të përfaqësohet në qeveri me një portofol ministri. Gjuriç nënkupton se Lista Serbe mund të kushtëzojë pjesëmarrjen në qeveri me emrin e Kryeministrit të ri.
Parlamenti francez nis debatin që mund të përcaktojë fatin e negociatave për Shqipërinë
Parlamenti francez nis këtë të hënë një debat të nxehtë sa i takon politikës së brendshme. Bëhet fjalë për emigracionin dhe azilkërkuesit. Diskutimet do të zhvillohen mbi bazën e një dokumenti të dorëzuar në Asamble, dhoma e parë e Parlamentit francez, nga Ministria e Brendshme franceze. Dokumenti përmban gjashtë pika dhe në thelb ka hedhjen për diskutim përpara ligjvënësve nëse Franca duhet të ashpërsojë ligjet kundër emigracionit të paligjshëm dhe azilkërkimit, apo jo. Diskutimet në fjalë pak lidhen me çështjen e hapjes së bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por nga debati që do të zhvillohet, Presidenti Macron pritet që të masë pulsin e kundërshtarëve dhe të vetë deputetëve të partisë së tij për të krijuar një ide se çfarë vendimi duhet të marrë Franca në mbledhjen e Këshillit Europian pas pak ditësh. Pas diskutimin në Asamble, dokumenti dhe propozimi i qeverisë franceze do të kalojë në Senat për t’u shqyrtuar.
Izet Haxhia mbetet në burg, dosja shkon te Gjykata e Lartë
Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që të lërë në burg Izet Haxhinë i dënuar me 25 vite burgim për akuzën për vrasjen në bashkëpunim për ish-deputetin e Partisë Demokratike, Azem Hajdari.
Gjykata e Krimeve të Rënda e kaloi këtë çështje për vlerësim Gjykatës së Lartë për të vendosur se për këtë çështje duhet të merret ajo apo Gjykata e Shkallës së Parë. Izet Haxhia, i ekstraduar nga Turiqa kërkon pafajësi për dënimin e dhënë në mungesë, duke deklaruar se nuk ka gisht për vrasjen e shekullit në shtator të vitit 1998 që shkaktoi dhe trazira të forta politike në Tiranë.
Del para vettingut prokurori Ndini Tavani, kandidat për SPAK
Ndini Tavani, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka dalë sot paradite para vettingut. Prokurori Tavani është edhe kandidat për në SPAK. Hetimi është zhvilluar për të tria kriteret e rivlerësimit, për pasurinë, figurën dhe aftësitë profesionale.
Në raportin e saj, ILDKPKI ka arritur në përfundimin se ka kryer deklarim të saktë, nuk ka mungesë të burimeve të ligjshme dhe nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesit.
KPK ka kryer një hetim më të thelluar në lidhje me pasuritë e subjektit.
Të ardhurat e deklaruara nga avokati, Komisionit i kanë rezultuar më pak se ç’ka deklaruar subjekti. Komisioni është duke shqyrtuar dokumentet dhe pretendimet e subjektit për këtë pasuri. Nga hetimi, KPK, ka konstatuar se nuk mund të krijonte vlerën e deklaruar nga aktiviteti.
Prodhimi stok, fermerët e Beratit në protestë
Fermerët e Beratit kanë zhvilluar mëngjesin e kësaj të hëne një protestë, në vendin e quajtur Ura e Kuçit, duke bllokuar edhe aksin kombëtar, Lushnjë-Berat.
Ata ankohen se u ka ngelur prodhimi stok, për shkak të prodhimeve që futen nga jashtë.
Ndërkohë theksojnë nuk kanë marrë asnjë subvencion nga qeveria, pasi e kanë të pamundur të mbijetojnë.
“Nuk kam marr ndonjë shtesë te sera ime, as subvencionime jo, as ndonjë lekë nga shteti. Edhe taksat vijnë na i kërkojnë, taksat i kemi paguar”, është shprehur njëri prej protestuesve.
Milan në sulm për Spaletin, Alegri drejt Mançester Junajtid
Fitorja në Xhenova nuk mjafton për trajnerin Marko Xhampaolo, largimi i të cilit nga stoli i Milanit është punë orësh. Klubi nuk është i kënaqur dhe po studion situatën për të gjetur zgjidhje të tjera. Emri i parë në listë është Luçiano Spaleti. Spaleti vështirë se bindet dhe paraprakisht ka refuzuar, por nuk është se e ka mbyllur derën. Emra të tjerë si alternativa për të marrë drejtimin e Milanit janë Pioli, Ranieri, Rudi Garcia dhe Prandeli, por të gjithë pas Spaletit. Një tjetër trajneri i njohur italian, Masimiliano Alegri, është pranë rikthimit në punë. Ish-trajneri i Juventusit shihet si njeriu që do të zërë vendin e Ole Gunar Solskjaer te Mançester Junajtid. Pas humbjes së fundit në kampionat me Njukasëllin në transfertë, norvegjezi duket se e ka mbyllur me “Djajtë e kuq” dhe mungon vetëm zyrtarizimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë