Shqipëria është solidarizuar sot me Policinë italiane, në shenjë respekti për policët italianë që dhanë jetën në krye të detyrës, në Trieste të Italisë. Policia e Shtetit organizoi sot paradite një ceremoni para Ambasadës Italiane në Tiranë, duke mbajtur drejtqëndrim dhe për një minutë kanë mbajtur ndezur sirenat e policisë.
Ambasadori italian Alberto Cutillo ka falenderuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe punonjësit e Policisë për këtë gjest solidariteti.
Ky gjest solidariteti vjen dy ditë pas vrasjes së dy agjentëve të policisë brenda në komisariat në Trieste të Italisë të premten. Autori, 29 vjecari Alehandro Meran me origjinë domenikane është arrestuar me akuzën e vrasjes së shumëfishtë dhe tentativë për vrasje. Nëna e tij u shpreh se i vinte shumë keq dhe u kërkonte falje familjeve të viktimave.
Pasditen e të premtes Meran gjendej në komisariat në kuadër të hetimeve për një grabitje, ai arriti të marrë pistoletën e shërbimit të Pierluixhi Rota, njëri prej agjentëve të vrarë dhe qëlloi. Pas të shtënave Mateo Demenego, viktima e dytë, doli nga zyra e tij dhe u qëllua për vdekje. Dy agjentët kanë marrë pesë plumba në trup.
Pasi Alehandro qëlloi dhe vrau agjentët, vëllai i tij u mbyll brenda në një prej zyrave të komisariatit, dhe më pas u përpoq të arratisej, por u kap nga policia pa dalë dot nga ndërtesa e komisariatit. Sipas mediave italiane autori i vrasjes së dyfishtë vuan nga probleme psikike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.