Vasilika Vjero mësohet se është dorëhequr nga detyra e drejtoreshës së Autoritetit Rrugor Shqiptar. Ajo u emërua dy javë më parë në vend të Sonila Qatos, e cila dha dorëheqjen për shkak të arsyejeve personale.
Ish-drejtoresha e Tatimeve e ka konfirmuar vetë largimin në median vizive duke deklaruar një ndër arsyet lidhet për shkaqet familjare. “Po është e vërtetë dhe lidhet me shendetin e vajzës sime dhe pamundësia ime pasi vajza është mbi çdo gjë”, është shprehur Vjero për Top Channel.
Kanë qenë pikërisht këto arsye, ku Vjero konfirmon se aktualisht ndodhet jashtë vendit.
Dy javë më parë Sonila Qato dha dorëheqjen nga drejtimi i Autoritetit Rrugor Shqiptar, duke deklaruar se e ndërmerrte këtë hap për shkak të presioneve të shumta. Shkak i këtij largimi u bë përplasja që ndodhi për tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë, ku kompania Gjoka shpk akuzoi drejtoreshën. “Kjo situatë më ka vendosur në një pozitë të vështirë në raport me detyrën. Nga njëra anë më duhet të përballem me akuzat dhe procesin ligjor që shfaqen në vorbullën e pafundme të çudirave mediatike dhe nga ana a tjetër duhet të administroj punën e përditshme dhe projektet infrastrukturore (pjesë e kësaj pune është edhe kompania që akuzon). Jam e keqardhur për gjithë këtë zhurmë dhe e lënduar nga spekulimet jashtëzakonisht të mëdha në media mbi procedurat e ndjekura në respektim të ligjit dhe dokumentacionin zyrtar që ka të bëjë me rastin në fjalë. Por jam edhe në pamundësi normaliteti në një punë që s’ka as orar dhe as ditë pushimi, sepse kërkon angazhim ekstrem mendërisht e fizikisht”, do të shprehej Qato dy javë më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




