Pas marrjes në pyetje nga prokuroria të nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, për qëndrimin në Barcelonë 900 euro nata, Partia Demokratike hedh akuza edhe mbi kryebashkiakun Erion Veliaj.
Ish-deputetja e PD-së në një dalje për mediat nga selia blu ka deklaruar se dokumenti i Agjencisë së Prokurimit Publik provon se Bashkia e Tiranës ka shpenzuar mbi 9 milionë lekë për udhëtimin në Barcelonë, ku ka marrë pjesë jo vetëm nënkryetari në hetim i Bashkisë së Tiranës, por edhe kryetari Erion Veliaj.
“Dokumenti i Agjencisë së Prokurimit Publik provon se Bashkia e Tiranës ka shpenzuar mbi 9 milionë lekë për udhëtimin në Barcelonë, ku ka marrë pjesë jo vetëm nënkryetari në hetim i Bashkisë së Tiranës, por edhe kryetari Erion Veliaj. Përfitimi nga grabitja e përbashkët e kryeqytetit është konkretizuar shumë qartë për qytetarët e Tiranës në rastin e kompanisë Fusha, pronari i së cilës i ka paguar nënkryetarit të Bashkisë me kartën e vet të kreditit 907 euro natën në një hotel në Barcelonë”, shprehet ish-deputetja Çupi.
Çupi thekson se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duhet të merret gjithashtu nën hetim.
“Afera e paligjshme dhe korruptive është duke u hetuar pas denoncimit të Partisë Demokratike, por hetimet nuk janë të plota.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duhet të merret gjithashtu nën hetim. Partia Demokratike ka zbuluar fakte zyrtare që provojnë se Bashkia e Tiranës ka mashtruar opinionin publik për paratë që u përdorën në udhëtimin e Barcelonës.
Pas zbulimit të skandalit për pagesën 1816 euro me kartën e kreditit të pronarit të kompanisë Fusha, Bashkia e Tiranës deklaroi për Zërin e Amerikës se ‘nuk ka shpenzuar fonde të Bashkisë për udhëtimin në Barcelonë’. E vërteta është krejt tjetër”, thotë ndër të tjera ish-deputetja Çupi.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




