Lajme

Hajdari e Mesi e firmosin, ja projektrezoluta për BE-në

Dy deputetet, drejtuese të komisionit parlamentar të Integrimit, Rudina Hajdari e opozitës dhe Senida Mesi i e Partisë Socialiste kanë hartuar një projekt-rezolutë “Për çeljen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin në BE”. Në nismën e siguruar nga Gazeta Si, theksohet se “projekt-rezoluta i drejtohet gjithashtu edhe shteteve anëtare të BE-së në kuadër të samitit të ardhshëm të Këshillit Europian, i cili do të mbahet në datat 17-18 tetor 2019, ku një ndër pikat e diskutimit në rendin e ditës do të jenë edhe vendimet për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.
Teksti përfshihen 10 pika kryesore dhe i referohet zhvillimeve më të fundit siç është edhe raporti i OSBE-së për zgjedhjet e 30 qershorit, si dhe nevojës për reformën në drejtësi. Si pikë të parë vlerësohet raporti i KE-së së majit 2019 me rekomandimet për reformat, si dhe kërkohet përfshirja në dialogun gjithëpërfshirës, mbështetur në parimet demokratike, brenda kuadrit kushtetues dhe institucional, mbi çështjet e integrimit europian, si dhe inkurajon forcimin e mëtejshëm të rolit mbikëqyrës të reformave integruese në Shqipëri.

Faksimile e Rezolutës së paraqitur nga deputetet Rudina Hajdari dhe Senida Mesi

“Kuvendi thekson se angazhimii i qëndrueshëm institucional për përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Europian dhe përfundimeve të Këshillit të Europës përbën përparësi kryesore të punës së tij. Mbështet Reformën në Drejtësi, si një reformë kyçe dhe një reformë shumë e rëndësishme për qytetarët e Shqipërisë, si dhe inkurajon institucionet kompetente për ngritjen e organeve të reja të reformës në Drejtësi, si Prokurorinë Speciale kundër Korrupsionit (SPAK), Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në pikët 4 dhe 5 të këtij drafti.
Gjithashtu kërkon nga organet ligjzbatuese rezultate konkrete dhe të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të drejtave të njeriut. Kuvendi shpreh vullnetin e plotë për të ecur në rrugën e reformave në frymën e mirëkuptimit ndërpartiak dhe në bashkëpunim të plotë me shoqërinë civile.
Ndërsa shprehet angazhimi për realizimin e reformës zgjedhore për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Si pikë e fundit e rezolutës është thirrja që i bëhet BE-së të shprehin vullnetin e tyre pro hapjes së negociatave. Projektrezoluta pritet të votohet në seancën e së enjtes në Kuvend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë