Pas dështimit nga toka për të mbajtur larg alkoolit, drogës, prostitucionit dhe veseve të tjera banorët e tyre, përfaqësues të kishës ortodokse në një qytet rus vendosën që të ndryshojnë strategji dhe të “bombardojnë” nga ajri me ujë të bekuar të gjithë qytetin për të larguar shpirtërat e këqinj e tundues të veseve.
Me 70 litra ujë në bord dhe një kupë të madhe, priftërinjtë morën avionin dhe nisën të spërkasnin me ujë të bekuar të gjithë qytetin e Tverit në veri-perëndim të Moskës. E gjithë shërbesa është filmuar dhe më pas transmetuar nga televizionet lokale.
Akti i pashembullt i priftërinjëve ka shkaktuar jo pak humor mes banorëve të qytetit në fjalë, që ashtu si pjesa tjetër e Rusisë ka një problem të theksuar me konsumin e tepër të alkoolit dhe prostitucionin. Por, priftërinjtë sfiduan pesimizmin e qytetarëve.
“Le të na qeshin! Ne po bëjmë punën tonë”, citohet njëri prej tyre me emrin Aleksandër.
Ndërhyrja e kishës është lëvizja e fundit e një fushate mbarëkombëtare që ka nisur në Rusi, ku promovohet “qëndrimi esëll” dhe larg alkoolit. Rusia ka një problem të theksuar me alkoolin dhe prostitucionin. I pari konsiderohet si shkaku kryesor i vdekjeve të parakohëshme të rusëve, ndërkohë që kuadri ligjor është ashpërsuar ndjeshëm.
Të dhënat e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë sugjerojnë se ndalimi i shitjes së pijeve alkoolike në pikat e karburantit dhe nëpër kioska ka ulur ndjeshëm konsumin e tij nga qytetarët rusë. Në 2005, rusët konsumonin mesatarisht 18.7 litra alkool të pastër për frymë në vit, ndërsa në 2016, kjo shifër ra në 11.7 letër për frymë në vit.
Por, skeptikë thonë se as shifrat e OBSH dhe as ato të servirura nga autoritetet ruse nuk mund të merren si të mirëqëna, pasi një pjesë e madhe e rusëve, sidomos në zonat rurale dhe në Siberi konsumojnë pije alkoolike artizanale, që shpesh prodhohen duke përdorur edhe detergjentë.
Si shembull ata sjellin rastin e dhjetorit të 2016, ku 74 persona vdiqën në qytetin rus të Irkutskut nga konsumi i një pijeje alkoolike me bazë solucione detergjentësh pastrimi, që ishte ngatërruar me etanolin. Në fakt, përbërja ishte metanol, një substancë toksike që përdoret si “antifreeze”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.