Qeveria po përgatit një amnisti ku prioritet do të jenë gratë dhe të miturit. Në një interpelancë me gratë e dënuara që u mbajt paraditen e sotme, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj paralajmëroi dhe kriteret që parashikohen të përfshihen në këtë amnisti e cila pritet të miratohet në qeveri brenda shtatorit.
“Projektligji është pothuajse final. Pritet të merret miratim nga Prokuroria e Përgjithshme dhe ministria e Brendshme. Deri në fund të shtatorit amnistia të miratohet në qeveri dhe pas kësaj të kalojë në parlament me qëllim që dhjetori, Krishtlindjet për ata që do përfitojnë t'i gjejnë pranë familjes së tyre. Pretendojmë mbi 50% e grave që ndodhen në institucion të përfitojnë nga amnistia për t’u bashkuar me familjen e tyre. Kjo është amnistia e parë që propozohet me kritere lehtësuese dhe favorizuese për kategoritë e grave dhe të miturve”, deklaroi ministrja gjatë një interpelance të organizuar mes gratë që vuajnë dënimin.
Ministrja e Drejtësisë theksoi gjithashtu se me ekipin e saj po liston natyrën e veprave penale ku për gratë dhe fëmijët do t’i jepet përparësi në uljen apo faljen e dënimeve.
Duke i renditur kategoritë, Gjonaj ka transmetuar mesazhin ndaj kësaj kategorie personash se mund të zgjerojmë rrethin e përfituesve. Grupin tjetër që janë në ndjekje penale, ne kemi menduar edhe si një vullnet i qeverisë, gratë në këtë amnisti do të kenë përparësi. Ne po shikojmë mundësinë që të përcaktojmë e shuarje të dënimit pavarësisht kritereve dënuesve të veprave penale për të cilat ju keni duke vuajtur. Grave që kanë fëmijë të mitur ne po shohim mundësitë për t’i lehtësuese ato, të kenë mundësi që të përfitojnë nga koha e shuarjes së dënimit, pavarësisht se nuk përfitojnë nga amnistia e përgjithshme. Kritere ndalues e për shkak të veprave penale të cilat nuk janë amnistuar, dua të ndaj me ju një diskutim të fundit me stafin po shikojmë mundësinë e heqjes së kritereve ndaluese për veprat penale për të cilat nuk është kryer amnisti me qëllim që të jetë specifike për gratë që vuajnë dënimin në institucion”, theksoi ministrja.
Gratë që i kanë mbetur 3 vite burg, apo janë dënuar nën 3 vite dhe kanë moshën mbi 55 vjeç të përfitojnë. Por qeveria, sipas drejtueses së këtij institucioni nuk do të ndalet vetëm më kaq, por do të mundohet që të rehabilitojë gratë pasi të lirohen nga amnistia, duke i ndihmuar me punësim, apo dhe me asistencën ligjore lidhur me kujdestarinë e fëmijëve, takimin e tyre sipas ditëve që kanë vendosur ditët e takimit. “Unë do të bëj të mundur në bashkëpunim me organizatat dhe bashkitë që ju të keni të mundur të merrni banesa me qira dhe ju ta nisni jetën nga e para”, theksoi Gjonaj.
Në dhjetor pritet që amnistia të shkojë në Parlament, sipas Gjonajt në shtator projektligji pritet të miratohet nga qeveria. Por ndërsa qeveria duhet të bindë edhe opozitën për kalimin e këtij ligji, pasi kërkohet një shumicë e cilësuar të votave.
Kush parashikohet të përfitojë
Gratë të cilat u kanë mbetur më pak se 3 vite burg do paraqiten në propozimin në amnisti.
-Për gratë që kanë fëmijë të mitur po shikohet mundësia për ti lehtësuar. Të kenë mundësi të përfitojnë nga shuarja e një pjese kohe të dënimit.
Gratë që kanë mbushur moshën 55 vjeç do të kenë mundësi të përfitojnë nga amnistia, duke marrë parasysh kohën e mbetur të dënimit nën 3 vjet ose ato gra që janë dënuar më pak se 3 vjet.
Po shikohet mundësia që të mund të hiqen kritere ndaluese për vepra penale të cilat nuk janë amnistuar.
Po shikohet mundësia që të hiqet kriteri ndalues për vepra penale të cilat nuk është kryer amnisti, me qëllim që të jetë vetëm specifike për gra që vuajnë në institucion. Sa i takon grave që janë në ndjekje penale që nuk kanë marrë ende vendim apo dënim nga gjykata të formës së prerë, kjo kategori do të përfshihet në amnisti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.