Lajme

Akuzat e PD, kryebashkiaku Mark Babani jep shenjat e gishtave

Pas akuzave të Partisë Demokratike se kryebashkiaku i Vaut të Dejës ishte dënuar në Itali, Njësia e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme i ka kërkuar Mark Babanit që të japë shenjat e gishtave.
Mësohet se kryebashkiaku i ka depozituar shenjat në Institutin e Policisë Shkencore. Kjo e fundit më pas dërgon të dhënat pranë Njësisë së Dekriminalizimit.
Partia Demokratike i kërkoi më 10 shtator Prokurorisë verifikimin e kryebashkiakut Babani, pasi dyshohet se ai ka fshehur ndalime, dënime dhe dëbime nga Italia dhe Maqedonia e Veriut. Ishte sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, që i vuri në dispozicion Prokurorisë të gjithë informacionin që dispononte selia blu.
Partia Demokratike pretendon se socialisti është arrestuar më 4 Prill 1994, në Itali, në zonën e Sicilisë, për kryerjen e veprës penale “Vjedhje në rrethana rënduese, e kryer në bashkëpunim”.
Ky është rasti i tretë i kryebashkiakëve socialistë që akuzohet nga PD, pas Valdrin Pjetrit në Shkodër dhe Agim Kajmakut në Vorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë