Lajme

PD: Qeveria dështoi me arkëtimin e taksave në gusht, 33% më pak

Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama për zhytjen e ekonomisë kombëtare në një krizë të thellë.
Dorian Teliti, Drejtor Kabineti i Partisë Demokratike, në një dalje për mediat nga selia blu u shpreh se qeveria dështoi me arkëtimin e taksave në muajin gusht, edhe pas arbitraritetit dhe terrorit të ushtruar ndaj biznesit.
“Sot arkës së shtetit i mungojnë 80 milionë euro nga tatimi mbi vlerën e shtuar, i cili është treguesi kryesor i konsumit dhe i ecurisë së ekonomisë.
Aksioni arbitrar i tatimeve në kulmin e sezonit turistik rezultoi një dështim spektakolar. Ndërkohë që miqtë e Edi Ramës vazhdojnë të mos paguajnë, biznesi i qytetarëve të zakonshëm, vazhdon të rrënohet nga taksat, gjobat dhe dhuna shtetërore.
Pavarësisht propagandës, aksioni kundër bizneseve jo vetëm nuk e përmbysi dot rezultatin e performancës negative në tatime e dogana, por dha impakt akoma më negativ në treguesit e ekonomisë dhe në mbledhjen e të ardhurave”, u shpreh Teliti nga selia blu.
Teliti ndër të tjera tha se në krahasim me gushtin e vitit të kaluar, u arkëtuan 33% më pak.
“Konkretisht, TVSH-ja e mbledhur nga tatimet në muajin gusht, TVSH e brendshme, në kulmin e aksionit tatimor dhe policor kundër bizneseve, ishte 11 mln euro më e ulët sesa gushti i vitit të kaluar, plot 33% më pak.
Pra, aksioni jo vetëm dështoi, por e përkeqësoi akoma edhe më tej ecurinë dhe klimën e të bërit biznes.
Më pak TVSH, më pak akciza, më pak taksa nacionale e taksa doganore në arkën e shtetit. Gjithashtu më pak investime”, u shpreh ndër të tjera Teliti.
Në fund, Teliti tha se “Alternativa e Partisë Demokratike për uljen e taksave, për eleminimin e gjobëvënies ndaj biznesit, për rritjen e investimeve në sektorët kyçë të ekonominë është rruga e vetme e daljes nga kriza e thellë ku e ka futur vendin Edi Rama”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë