Deklaratat e disa ditëve më parë Artan Lames pak ditë më parë se punonjësit në Agjencinë e Kadastrës do të rekrutohen me konkurs, për Partinë Demokratike, janë tallje me shqiptarët. Ish-deputetja e PD-së, Oriola Pampuri shprehet se propaganda e Edi Ramës me punësimet shtetërore është një nga çështjet penalizuese jo vetëm për integrimin europian, por, mbi të gjitha, për keqfunksionimin dhe korrupsionin endemik, i përhapur në çdo qelizë të administratës shtetërore.
Sipas saj, shembull tipik i kësaj propagande është Agjencia e Kadastrës, e drejtuar prej 6 vitesh nga Artan Lame me emrin e Agjencisë së Legalizimeve.
“Pak ditë më parë, Artan Lame, pa u skuqur fare, foli për konkurs të ndershëm në plotësimin e disa dhjetëra vendeve të reja të punës të hapur në ketë agjenci me shtrirje në të gjithë vendin. Por gjithçka është një teatër. Artan Lame, si gjithë kolegët e tjerë pjesë të qeverisë grabitëse të Edi Ramës, nuk mund të organizojnë konkurse të ndershme. Ata dinë vetëm të punësojnë militantë partiakë, që i përdorin në zgjedhje në shkelje të ligjit ndaj kundërshtarit politik. Artan Lame është modeli tipik i kësaj skeme skandaloze që ka mbajtur peng administratën publike gjithë këto vite, duke punësuar militantë që vijnë me lista nga partia në pushtet dhe, në vend t’u shërbejnë qytetarëve, i shërbejnë partisë në pushtet në kohë fushatash elektorale”, deklaroi Pampuri.
Më tej ajo shtoi se rreth një vit më parë, kjo u provua me një material autentik, të publikuar në media, ku Artan Lame dëgjohet që pranon ndërhyrjen e deputetëve socialistë për marrjen në punë të militantëve dhe përdorimin e tyre gjatë fushatës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.