Kriza politike në Shqipëri dhe rreziku rus në Ballkan kanë sjellë në Tiranë drejtorin e ri për Europën Qendrore dhe Jugore në DASH, David Kostelancik. Zyrtari i lartë i DASH mësohet se do t’i zhvillojë sot takime me krerët e lartë të shtetit. Ai e nis takimin me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi në kryesinë e Kuvendit në ora 11:00. Më pas në orën 14:00 do të ketë takim me kryedemokratin Lulzim Basha dhe pas një orë e gjysmë, në 15:30 do të takohet me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi. Takimi i fundit Kostelancik me udhëheqësit shqiptar është pasdite në ora 17:00 me kryeministrin Edi Rama. Në agjendë nuk njoftohet për momentin takim me Presidentin Meta. Në këto takime zyrtari i DASH pritet të t’u përcjellë një mesazh të qartë drejtuesve të opozitës për uljen në dialog për të kapërcyer ngërçin, që mund të ndikojë edhe në vendimin për hapjen e negociatave në mes të tetorit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë fokusuar së fundmi në çështjet e Ballkanit, ku ndërhyrja e tyre lidhet për të shmangur rrezikun rus në këtë rajon dhe krijimin e stabilitetit në shtete me demokraci të brishta apo dhe në arritjen e paqes së qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë.
Apeli i fundit për zgjidhjen e krizës në Shqipëri ka qenë ai i Matthew Palmer në detyrën e Zëvendësndihmës sekretar i Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, i cili është shprehur se krizën duhet ta zgjidhin politikanët shqiptarë brenda institucioneve, ndërsa ka shprehur shqetësim për mungesën e Gjykatës së Lartë dhe atë Kushtetuese.
Palmer tashmë ka marrë një rol të veçantë nga DASH dhe është caktuar si i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan. Në takimin e një ditë më parë në Forumin Strategjik në Slloveni Palmer deklaroi se mes 3 prioriteteve kryesorë të SHBA-ve për Ballkanin qëndrojnë negociatat për integrimin në BE të Tiranës dhe Shkupit.
“Ajo që kanë bërë SHBA-të dhe Departamenti Amerikan i Shtetit duke më emëruar si të dërguarin e posaçëm për Ballkanin, është për të treguar që po përgjigjem ndaj asaj që na është kërkuar. Kemi dëgjuar nga rajoni, kemi dëgjuar rregullisht nga partnerët dhe aleatët tanë, se SHBA-të s’kanë qenë mjaftueshëm të pranishëm në Ballkanin Perëndimor, s’kanë qenë të angazhuar mjaftueshëm, ndaj synimi që kam në këtë rol, është të jem i pranishëm. Të jem në rajon, të udhëtoj nëpër Europë, të punoj me aleatë dhe partnerë për qëllimet tona të përbashkëta. Kjo përfshin dhe adresimin e disa nevojave bazë, për të cilat foli edhe kolegu ynë finlandez; rendi ligjor, liria e medias, transparenca, përgjegjësia e qeverisë, por gjithashtu, do të konkurrojmë për ndikim pozitiv, të cilin ta përdorim në mbështetje të një qëllimi më të gjerë, atë të integrimit të Ballkanit Perëndimor në institucionet euro-atlantike.”- u shpreh i dërguari Palmer.
Palmer po ashtu prezantoi edhe tre prioritetet që ka axhenda e tij në nisje të misionit në Ballkan. Kryefjala është hapja e negociatave këtë tetor për Shqipërinë dhe Maqedoninë, pakti Kosove –Serbi si edhe Bosnje Hercegovina.

“Kemi disa synime të rëndësishme, si ndihma ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të siguruar hapjen e negociatave me BE-në, mundësisht brenda tetorit; të ndihmojmë Serbinë dhe Kosovën që t’i kthehen dialogut, të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, si dhe të hapet udha drejt BE-së si për Serbinë, ashtu dhe për Kosovën. Duam të punojmë me Bosnje-Herzegovinën, për ta bërë atë një shtet funksional.”- tha Palmer
Sakaq dy senatorët amerikanë, demokrati Chris Murphy dhe republikani, Ron Johnson, pritet të qëndrojnë në Kosovë dhe Serbi, për të diskutuar me udhëheqësit e të dyja vendeve lidhur me procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Zëri Amerikës bën të ditur se të dy senatorëve u është ndaluar një vizitë e planifikuar në Moskë, ku do të qëndrojë një delegacion i Kongresit amerikan.
“Rusia nuk na lejon brenda, por Ron Johnson dhe unë do të vizitojmë Ukrainën, Serbinë dhe Kosovën këtë javë, për të dëshmuar mbështetjen dypartiake për qeverinë e re të Ukrainës dhe për bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, shkroi senatori Murphy në një postim në rrjetin Twitter.
Vizita e tyre në Ballkan ndodhë pak ditë pasi që sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo emëroi zëvendës ndihmësin e tij, Matthew Palmer si Përfaqësuesin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Emërimi i tij shihet si një dëshmi e përfshirjes më të madhe të Shteteve të Bashkuara në procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




