Politike

Zbardhet axhenda e zyrtarit të DASH sot në Tiranë. SHBA ndërhyn fuqishëm në Ballkan

Kriza politike në Shqipëri dhe rreziku rus në Ballkan kanë sjellë në Tiranë drejtorin e ri për Europën Qendrore dhe Jugore në DASH, David Kostelancik. Zyrtari i lartë i DASH mësohet se do t’i zhvillojë sot takime me krerët e lartë të shtetit. Ai e nis takimin me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi në kryesinë e Kuvendit në ora 11:00. Më pas në orën 14:00 do të ketë takim me kryedemokratin Lulzim Basha dhe pas një orë e gjysmë, në 15:30 do të takohet me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi. Takimi i fundit Kostelancik me udhëheqësit shqiptar është pasdite në ora 17:00 me kryeministrin Edi Rama. Në agjendë nuk njoftohet për momentin takim me Presidentin Meta. Në këto takime zyrtari i DASH pritet të t’u përcjellë një mesazh të qartë drejtuesve të opozitës për uljen në dialog për të kapërcyer ngërçin, që mund të ndikojë edhe në vendimin për hapjen e negociatave në mes të tetorit.

Zyrtari i DASH, Kostelancik duke hyrë në Kryesinë e Kuvendit bashkë me zv/ambasadoren e SHBA në Tiranë


Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë fokusuar së fundmi në çështjet e Ballkanit, ku ndërhyrja e tyre lidhet për të shmangur rrezikun rus në këtë rajon dhe krijimin e stabilitetit në shtete me demokraci të brishta apo dhe në arritjen e paqes së qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë.
Apeli i fundit për zgjidhjen e krizës në Shqipëri ka qenë ai i Matthew Palmer në detyrën e Zëvendësndihmës sekretar i Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, i cili është shprehur se krizën duhet ta zgjidhin politikanët shqiptarë brenda institucioneve, ndërsa ka shprehur shqetësim për mungesën e Gjykatës së Lartë dhe atë Kushtetuese.


Palmer tashmë ka marrë një rol të veçantë nga DASH dhe është caktuar si i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan. Në takimin e një ditë më parë në Forumin Strategjik në Slloveni Palmer deklaroi se mes 3 prioriteteve kryesorë të SHBA-ve për Ballkanin qëndrojnë negociatat për integrimin në BE të Tiranës dhe Shkupit.
“Ajo që kanë bërë SHBA-të dhe Departamenti Amerikan i Shtetit duke më emëruar si të dërguarin e posaçëm për Ballkanin, është për të treguar që po përgjigjem ndaj asaj që na është kërkuar. Kemi dëgjuar nga rajoni, kemi dëgjuar rregullisht nga partnerët dhe aleatët tanë, se SHBA-të s’kanë qenë mjaftueshëm të pranishëm në Ballkanin Perëndimor, s’kanë qenë të angazhuar mjaftueshëm, ndaj synimi që kam në këtë rol, është të jem i pranishëm. Të jem në rajon, të udhëtoj nëpër Europë, të punoj me aleatë dhe partnerë për qëllimet tona të përbashkëta. Kjo përfshin dhe adresimin e disa nevojave bazë, për të cilat foli edhe kolegu ynë finlandez; rendi ligjor, liria e medias, transparenca, përgjegjësia e qeverisë, por gjithashtu, do të konkurrojmë për ndikim pozitiv, të cilin ta përdorim në mbështetje të një qëllimi më të gjerë, atë të integrimit të Ballkanit Perëndimor në institucionet euro-atlantike.”- u shpreh i dërguari Palmer.
Palmer po ashtu prezantoi edhe tre prioritetet që ka axhenda e tij në nisje të misionit në Ballkan. Kryefjala është hapja e negociatave këtë tetor për Shqipërinë dhe Maqedoninë, pakti Kosove –Serbi si edhe Bosnje Hercegovina.

Palmer, i dërguari posaçëm i DASH për Ballkanin


“Kemi disa synime të rëndësishme, si ndihma ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të siguruar hapjen e negociatave me BE-në, mundësisht brenda tetorit; të ndihmojmë Serbinë dhe Kosovën që t’i kthehen dialogut, të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, si dhe të hapet udha drejt BE-së si për Serbinë, ashtu dhe për Kosovën. Duam të punojmë me Bosnje-Herzegovinën, për ta bërë atë një shtet funksional.”- tha Palmer
Sakaq dy senatorët amerikanë, demokrati Chris Murphy dhe republikani, Ron Johnson, pritet të qëndrojnë në Kosovë dhe Serbi, për të diskutuar me udhëheqësit e të dyja vendeve lidhur me procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Zëri Amerikës bën të ditur se të dy senatorëve u është ndaluar një vizitë e planifikuar në Moskë, ku do të qëndrojë një delegacion i Kongresit amerikan.
"Rusia nuk na lejon brenda, por Ron Johnson dhe unë do të vizitojmë Ukrainën, Serbinë dhe Kosovën këtë javë, për të dëshmuar mbështetjen dypartiake për qeverinë e re të Ukrainës dhe për bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës", shkroi senatori Murphy në një postim në rrjetin Twitter.

https://twitter.com/ChrisMurphyCT/status/1168506813790208000?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1168506813790208000&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.zeriamerikes.com%2Fa%2Fus-kosovo-serbia%2F5067437.html


Vizita e tyre në Ballkan ndodhë pak ditë pasi që sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo emëroi zëvendës ndihmësin e tij, Matthew Palmer si Përfaqësuesin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Emërimi i tij shihet si një dëshmi e përfshirjes më të madhe të Shteteve të Bashkuara në procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë