Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar 141.6 ton produkte të pasigurta dhe i ka bllokuar aktivitetin subjektit në Fushë-Krujë.
Konkretisht , bëhet fjalë për subjektin “Afrim Bici” me aktivitet “Magazinë mielli dhe ushqimi për blegtorinë”, Fushë-Krujë, i cili operonte prej 18 vjetësh duke ushtruar edhe aktivitetin “Prodhim, përpunim dhe shpërndarje me shumicë e ushqimeve për kafshë që përdoren për ushqim” dhe njëkohësisht tregtonte edhe plehra kimike (Ure, DAP, Superfosfat dhe Nitrat).
Nga kontrolli, AKU sqaron se janë gjetur në produkte minj të ngordhur, merimanga dhe parazitë të tjerë të krijuar nga lagështia.
Siç njofton AKU, aktiviteti ushtrohej në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare, produktet nuk ishin të sistemuara në paleta, por të hedhura/shpërndara në dysheme. Po ashtu është konstatuar prania e lagështisë, brejtësve/minj të ngordhur, e merimangave dhe parazitëve të tjerë. Në disa thasë me miell nga lagështia ishin formuar masa të ngurta, sende dhe objekte të panevojshme për aktivitetin ishin të hedhura nëpër ambient, ambienti i ambalazhimit dhe magazinimit ishte i padezinfektuar, produktet ushqimore ruhen në të njëjtin ambient me plehrat kimike, frigoriferi i përshtatur për depozitë misri kishte prani të theksuar ndryshku, lëvizja e produktit sipas numrit të lotit ose datës së skadencës nuk regjistrohej për gjurmim dhe plani/manuali i vetëkontrollit nuk njihej/zbatohej.
Në magazinën e ruajtjes së produktit u evidentua se produktet mbaheshin në ruajtje në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare dhe një pjesë e së cilës e ambalazhuar në thasë 25 kg dhe 50 kg të paetiketuara dhe të pasigurta për konsum.
Sasia e produkteve prej 141.6 ton përbëhej nga 30 ton ushqim për njerëz (10.5 ton miell importi turk, 19.5 ton miell vendi) dhe rreth 111.6 ton ushqime për kafshë që përdorën për ushqim për njerëz (33.4 ton krunde/hime, 19.8 ton tërshërë, 19.6 ton sojë, 14.8 ton grurë, 10.3 ton miell misri, 5.7 ton grurë, 5 ton misër dhe 3 ton elb).
Për shkeljet e konstatuara, AKU ka marrë këto masa:
Gjobë 2,000,000 lekë (mosdisponim licence për ushtrim aktiviteti),
Gjobë 500,000 lekë (kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare),
Gjobë 200,000 lekë (mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë),
Gjobë 100,000 lekë (mungesë e planit/manualit të vetëkontrollit),
Gjobë 150,000 lekë (etiketim të ushqimeve për kafshë në kundërshtim me ligjin),
Gjobë 200,000 lekë (veprime në kundërshtim me përgjegjësitë e operatorit të biznesit),
Ndërprerje e menjëhershme e aktivitetit deri në plotësimin e kërkesave ligjore,
Bllokim të 30 ton produkte për konsum njerëzor, deri në daljen e rezultatit të analizave dhe bllokim të 111.6 ton ushqim i pasigurt për kafshë me destinacion asgjësimin e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.











