Forma e mirë e portierit shqiptar Tomas Strakosha nuk ka kaluar jashtë vëmendjes së medieve italiane, që nuk i kanë kursyer lëvdatat për gardianin kuqezi. Fjalë shumë të mira për Strakoshën ka thënë edhe një legjendë e portës, siç është Dino Zof.
Pas ndeshjes së parë të Lacios në kampionat, ku bardhekaltrit fituan bindshëm, 3-0 ndaj Sampdorias, Zof ka thënë fjalë të mira për Lacion, duke e vënë theksin e veçantë te Strakosha. Ish-portieri legjendar i kombëtares italiane dhe i Juventusit, fitues i Kupës së Botës në vitin 1982 tha se Strakosha ka një potencial shumë të madh për tu rritur në vazhdim.
“Thomas është një djalë që gjithmonë sjellë shumë mirë mes katërkëndëshit. Pritjet që bëri në ndeshjen me Sampin unë mendoj se për të janë një gjë e zakonshme. Diçka ndoshta mungon ende sa i përket pjekurisë së tij, por është një siguri për Lacions dhe është vërtetuar se është shumë i rëndësishëm për Inzagin”.
Kjo lëvdatë nga një njeri si Dino Zof për Strakoshën nuk është një gjë e re, pasi më herët fjalë të mira për Strakoshën janë dhënë edhe nga emra të tjerë të rëndësishëm të futbollit italian. Strakosha këtë gusht nisi sezonin e tij të tretë si portieri titullar i Lacios, pasi më herët kishte kaluar nga ekipet e moshave të këtij klubi.
Në dy vera radhazi, Strakosha ka qenë në qendër të zëra të merkatos që e lidhnin me një largim të mundshëm nga Lacio. Disa klube angleze dhe të tjera brenda në Itali kanë bërë sondazhe për gardianin shqiptar, por deri më tani ai është treguar besnik dhe nuk është larguar nga kryeqyteti italian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




