Policia ka arrestuar 8 persona, mes tyre edhe dy pronarë linjash autobusi, për falsifikim të biletave të transportit urban në Tiranë. Policia bën me dije se janë arrestuar në flagrancë shtetasit:
Ferdinant Ibrahimi, 60 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator dhe ortak i një shoqërie transporti;

Fatos Vrapi, 60 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator dhe ortak i një shoqërie transporti. Vrapi është edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të kryeqytetit.

Albana Vrapi., 51 vjeçe, banuese në Tiranë, me funksion administratore dhe ortake e një shoqërie transporti;
Evisa Vora, 33 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë administratore e një shoqërie transporti;
Lulëzim Allaraj., 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë dispeçer i një linje autobusësh;
Aldi Duka., 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyre dispeçer i një linje autobusësh;
Klodiana Qato, 42 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë ekonomiste në një shoqëri autobusësh;
Anastas Ibrahimi, 20 vjeç, banues në Tiranë, të cilit iu gjetën të fshehura provat materiale, në tentativë për t’i asgjësuar.
Siç njofton policia, arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi dyshohet se duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin kanë falsifikuar bileta të transportit urban në kohë dhe periudha të ndryshme, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar të disa shoqërive operatore në transportin urban në qarkun Tiranë.
Shtetasit e sipërpërmendur përdornin bileta urbani të falsifikuara dhe jo të prodhuara në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë, të cilat i kishin hedhur në qarkullim duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare. Nëpërmjet këtyre veprimeve i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh ekonomik, i cili do të përllogaritet në vazhdimësi nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Po ashtu policia ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale 150 000 bileta urbani të falsifikuara, vënia në përdorim e të cilave kap vlerën 6 000 000 lekë të reja.
Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një automjet i markës “Masserati”, 4 aparate celulare, në posedim nga personat nën hetim, kartela të ndryshme financiare të plotësuara me shkrim dore, 5 libra arkash, 62 blloqe mandatesh arkëtimi, 350 kopje mandatesh arkëtimi , si dhe dokumente të tjera me shënime të ndryshme.
Materialet proceduriale u dërguan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i letrave me vlerë” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




