Analize

Serbia po e blen me para tërheqjen e njohjes së Pavarësisë së Kosovës

Vetëm dy javë pasi vendet e Quintit i kërkuan Serbisë të ndalonte në mënyrë të menjëhershme fushatën diplomatike kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, Beogradi zyrtar ka njoftuar se në bashkëpunim me Rusinë ka bindur pesëmbëdhjetë vende të tërhiqen nga ky vendim.

Sipas ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, Togo është bërë tanimë vendi i pesëmbëdhjetë që do të tërheqë njohjen e pavarësisë Kosovës. Ai deklaroi të hënën se Beogradi ka lëvizur më afër qëllimit të tij, që gjysma e vendeve anëtare të OKB-së që e njohin pavarësinë e Kosovës, të tërhiqen nga ky vendim.
Daçiç tha se njohja e Kosovës tanimë është tërhequr nga 15 shtete, duke përfshirë Madagaskarin, Suriname, Burundin dhe Papua Guinea e Re. Sipas përfaqësuesve serbë, numri i vendeve që e konsiderojnë Kosovën shtet të pavarur ka rënë nën 100.

Togo njoftoi njohjen e Kosovës në korrik 2014, me Ministrin e saj të Jashtëm Robert Dussey që do të deklaronte se Republika e Afrikës së Veriut “ishte e përkushtuar për të lobuar dhe do të bëjë çmos për të bindur shtetet që nuk e kanë njohur ende Kosovën”.
Sidoqoftë, Daçiç tha që kjo njohje është anuluar nga një njoftim diplomatik që ai mori në qershor dhe tregoi se një shtet tjetër afrikan, Republika e Afrikes Qendrore kishte vendosur të anulojë njohjen e Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçic, Gazeta Si, 28 gusht 2019

Por “tërheqja” nga njohja e Kosovës duket se po kushton Serbisë miliona euro.

Duke iu përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë deklaratave të Daçiç, Ministria e Jashtme e Kosovës ka akuzuar Serbinë se ka ofruar ryshfet në këmbim të tërheqjes së njohjes, pas një shkrimi në një portal të Republikës së Afrikës Qendrore, që akuzonte ministren e Jashtme të këtij vendi, Sylvie Baipo Temon se kishte marrë para nga një këshilltar i Daçiç për të tërhequr njohjen e Kosovës. Ky skandal doli vetëm një ditë pasi Daçiç njoftoi lajmin e tërheqjes së Togos nga njohja e Kosovës.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar së Qeveria serbe ka instaluar korrupsionin dhe ryshfetin si mjete diplomatike për të pranuar dokumente të falsifikuara që nuk shërbejnë asgjë, por vetëm për përshkallëzimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, tha ministria e Jashtme e Kosovës në deklaratë.

Ajo tha se Prishtina “është përballur në tre vitet e fundit një fushatë të paparë diplomatike dhe propagandistike nga Serbia me mbështetjen e Rusisë dhe vendeve të tjera për të penguar integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare”.

Dokumentet me të cilat Togo dhe Republika e Afrikës Qendrore janë tërhequr nga njohja e Kosovës. Gazeta Si, 28 gusht 2019


“Propaganda dhe fushata diplomatike e Serbisë kundër Kosovës po vazhdon në një mënyrë tinëzrae. Kosova do të marrë masa për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e saj. Kjo fushatë ka vetëm një qëllim që të përshkallëzojë marrëdhëniet me Kosovën dhe ne nuk do ta tolerojmë këtë”, do të shkruante në Twitter, ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli.

Në shkrimin e portalit “Corbeau News Centrafrique” të datës 25 gusht, thuhet se një këshilltar i posaçëm i ministrit të Jashtëm serb, u takua me ministren e Temon, në Paris gjatë muajit korrik të vitit 2019, dhe i ka ofruar asaj rreth 350.000 euro në këmbim të notës së tërheqjes së pavarësisë së Kosovës. Ky “këshilltar” është identifikuar si Vladimir Cizelj, këshilltar i posaçëm i ministrit të Jashtëm të Serbisë.

Autoritetet e Kosovës kanë dyshime mbi origjinalitetin, jo vetëm të dokumentit për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga Republika e Afrikës Qendrore, por edhe të gjitha tërheqjeve të mëparshme, dhe pretendojnë se ishin dokumente të falsifikuara, në të cilat, sipas tyre, ka qenë i përfshirë Vladimir Cizelj.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Afrikës Qendrore, Sylvie Baipo Temon. Gazeta Si, 28 gusht 2019

“Askush nuk mund të injorojë faktin që këto dokumente janë shkruar dhe përgatitur në Beograd. Të gjitha dokumentet që janë paraqitur nga Daçiç dhe janë dorëzuar nga Cizelj, janë i njëjti tekst”, ka thënë Jetlir Zyberaj, shef i kabinetit të ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Në qershor, Daçiç deklaroi po ashtu se Liberia kishte tërhequr njohjen e saj, por ministri i Pacolli, tha që kishte konfirmim nga ky vend se kjo nuk ishte e vërtëtë.
Përgjatë viteve të fundit, Rusia e ka forcuar ndikimin e saj në Republikën e Afrikës Qendrore, duke i hapur kështu rrugës Serbisë për të lidhur marrëdhënie diplomatike me këtë shtet.

Në analizën e “Corbeau News Centrafrique” thuhet se vendimin për tërheqjen e njohjes së Kosovës, ministrja e Jashtme e Republikës së Afrikës Qendrore e mori vetë, pa u konsultuar fillimisht me zyrtarë të tjerë të shtetit, para së gjithash me presidentin e vendit. Ministrja ka edhe përkrahjen e shefit të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov.

Fushata diplomatike kundër Kosovës

Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së dhe qëllimi i Serbisë është të parandalojë me çdo kusht hyrjen e saj në këtë organizatë. Daçiç tha që Serbia do të vazhdojë fushatën e saj “derisa Kosova të kuptojë se lufta e saj nuk ka mbaruar. “Qëllimi ynë është që numri i njohjeve të bjerë nën gjysmën e numrit të përgjithshëm të shteteve anëtare të OKB-së”, deklaroi ai.

Ashtu si herët e kaluara, Daçiç konfirmoi edhe njëherë me lajmin për tërheqjen e Togos se kjo fushate ndërkombëtare lobimi po përforcohet me ndihmën e Rusisë.

Behgjet Pacolli



“Kosova nuk mund të bëhet anëtare e OKB-së sepse Rusia do të përdorte veton e saj në Këshillin e Sigurimit. Në rast të kësaj, ne duam të sigurohemi që shumica e anëtarëve të OKB do të jenë në anën e tonë”, deklaroi Daçiç.

Fushata e Beogradit për të zvogëluar numrin e vendeve që njohin pavarësinë e Kosovës është pritur me nota alarmante në Prishtinë. Ishte pikërisht fushata e Beogradit kundër hyrjes së Kosovës në Interpol, ajo që e detyroi Prishtinën të vendoste taksën për produktet serbe.

Që kur u rrëzua qeveria e Kosovës javën e kaluar, vendet perëndimore kanë kërkuar që kabineti i ri të rihapë bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës.

Më 13 gusht, grupi i Quintit, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara publikuan një deklaratë për shtyp duke i bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE dhe të ndalojnë së vendosuri pengesat në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve të vendeve të tyre.

Fuqitë më të mëdha folën në mënyra specifike për këto pengesa: “Për Kosovën, kjo do të thotë të pezullojë tarifat e vendosura për Serbinë. Për Serbinë, nënkupton pezullimin e fushatës diplomatike kundër njohjes kundër Kosovës”.

Megjithatë Beogradi duket se ka injoruar deri më tani këtë kërkesë duke e fuqizuar edhe më shumë fushatën kundër njohjes së Kosovës. Vetë Prishtina zyrtare zotëron të dhëna të ndryshme nga Daçiç, duke i përshkruar informacionet e tij si propagandë dhe lajme të rreme. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, “Republika e Kosovës njihet nga 114 vende, duke përmbushur qëllimin fillestar për të marrë më shumë se 100 njohje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë