Ervis Doko, bashkëjetuesi i Orkida Drizës, sekseres së fondacionit “Besa”, ka dhënë sot dëshminë lidhur me skemën e mashtrimit me kreditë fiktive në Fondacionin Besa. Doko ka folur sot para gazetarëve nga Drejtoria e Policisë së Tiranës. Ai ka theksuar se është mashtruar nga drejtuesit e fondacionit dhe se ai dhe bashkëjetuesja e tij kryenin rolin e sekserit.
“Skema ishte e thjeshtë, na sillnin vetëm certifikata dhe fotokopje, merrnim një shumë prej 300 mijë lekësh të vjetra dhe brenda vitit mbyllej. Këtë shumë e merrnim te Fondi Besa. Nuk e dija që ishte skemë mashtruese”, tha Doko, i cili shtoi se lekët i jepeshin nga drejtoresha e fondacionit.
Ai deklaroi përpara gazetarëve se për çdo person që dërgonte në fondacion përfitonte 20 mijë lekë të vjetra. Më shumë se 100 persona tha Doko se ka çuar te “Besa” brenda një viti.
Më herët, Orkida Driza ka deklaruar se është e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë, duke pretenduar se është përdorur në skemën e mashtrimit.
Rreth 3.7 milionë euro është shumë e përfituar nga skema e mashtrimit në fondacionin “Besa”, me kredidhënie fiktive.
Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 4 persona. Në burg është lënë drejtoresha Albana Imami, Blertina Kanani, Mihal Hanxhari dhe Orkida Driza.
Pas arrestimit të drejtoreshës së filialit të fondacionit, Albana Imami, u mësua se janë prekur mbi 800 persona, të cilët janë kredimarrës dhe klientë.
Drejtoresha e filialit të fondacionit kishte krijuar ketë skemë mashtrimi dhe në bashkëpunim me personat e tjerë të ndalur, lëshonin kredi në mënyre fiktive dhe klientët që përfituan kreditë nuk paraqiteshin fare në zyrat e fondacionit në momentin e aplikimit për kredi.
Ata paraqiteshin vetëm kur disbursohej kredia, bënin tërheqjen e lekëve në banka dhe nga shuma e përfituar e kredisë, këta persona përfitonin 25 deri në 35% të shumës së kredisë dhe pjesa tjetër përfitohej nga Drejtoresha e degës, Oficeret e Kredisë dhe Sekserët që siguronin klientët. Në përfundim të këtij procesi nga Drejtoresha e degës lëshohej një vërtetim fiktiv, sikur e gjithë shuma e kredituar ishte likuiduar nga klienti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




