Partia Demokratike përmes sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi ka publikuar dokumentet për arrestimin në Greqi të Agim Kajmakut, kryebashkiakut të Vorës të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.
Gjatë deklaratës në selinë blu, Bardhi tha se Kajmaku bënte biznes fidanësh me para të falsifikuara, krim i cili dënohet me 10 vjet burg.
“Duke qenë se Prokuroria po e zvarrit çështjen, njësoj siç bëri me Valdrin Pjetrin, për të cilin akoma nuk ka një përgjigje zyrtare, Partia Demokratike po sjell prova autentike të dosjes penale të kandidatit të Edi Ramës për Bashkinë Vorë.
Ky që shikoni këtu është vendimi i Prokurorisë dhe i Gjykatës së Janinës, i Qershorit 2003”, shprehet Bardhi.

Dosja në greqisht e Agim Kajmakut e publikuar nga Partia Demokratike
Ai tha se vendimi i gjykatës nuk është ekzekutuar për shkak të rratisjes së tij në Shqipëri.
“Dosja është përcjellë në prokurori, Prokuroria e Janinës ka konstatuar se jemi përpara një krimi të nivelit të parë (shkalla më e rëndë e klasifikimit të veprave penale), dhe nga provat e administruara ka vlerësuar se rezultonte e provuar që krimi ishte kryer nga shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto. Krimi i kryer nga Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, sipas prokurorisë greke, duhet të dënohej me jo më pak se 10 vjet burgim. Për këtë arsye, Prokuroria ka urdhëruar arrestin e tij të menjëhershëm dhe ka përcjellë dosjen në gjykatë. Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe ka vendosur arrest me burg të menjëhershëm dhe marrjen të pandehur të shtetasit Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, për falsifikim parash, si dhe dërgimin e çështjes për gjykim”, tha Bardhi. Sipas tij, vendimi i gjykatës për arrestimin e Agim Kajmakut nuk është ekzekutuar, për shkak se gjatë periudhës së shqyrtimit gjyqësor, ai ishte arratisur menjëherë nga territori i shtetit grek dhe ka ardhur në Shqipëri. “Këtu ka ndryshuar menjëherë edhe identitetin, nga Jorgo Toto, përdoruesi i parave të falsifikuara në kërkim në Greqi, në Agim Kajmaku, biznesmeni i duhur për politikën kriminale të Edi Ramës”, shprehet ndër të tjera Bardhi.
Për PD-në, Edi Rama vazhdon të bëjë sikur nuk dëgjon dhe nuk shikon që kandidatët që u ofroi shqiptarëve më 30 Qershor, janë kontigjent burgjesh dhe, njësoj si ai vetë, janë përfaqësues të padenjë për një shoqëri që kërkon të zhvillojë vlerat dhe standardet europiane. “Edi Rama hesht prej disa ditësh në përpjekje për të shpëtuar me makinacione dhe manovra të pista kandidatin e tij të Vorës, Agim Kajmaku, i cili ka llogari të hapura me drejtësine greke dhe duhet të japë menjëherë dorëheqjen dhe të paguajë para drejtësisë shqiptare dhe greke krimin e tij”, thot♪7 opozita. Bardhi vijon më tej duke u shprehur se rasti i Kajmakut është rasti i dytë në qeverinë Rama. “Rasti i Agim Kajmakut është rasti i dytë brenda një muaji që Partia Demokratike po denoncon me fakte dhe dokumenti se kandidatët e Edi Ramës për kryetarë bashkie kanë krye krime dhe i kanë fshehur ato”, shprehet Bardhi.
Me heshtjen prej fajtori, sipas PD, Edi Rama provoi se është i pafuqiashëm të përballet me të vërtetën dhe se vetëm bashkëpunimi me krimin është mekanizmi i vetëm që i siguron atij pushtetin. Sipas Bardhit, Rama po promovon në politikë njerëz të përfshirë në botën e krimit.
“Në këto 6 vjet të drejtimit të vendit, Edi Rama u provua si Kryeministri që promovoi në politikë dhe në administratën publike mbi 300 persona me precedentë kriminalë, nga vrasësit dhe përdhunuesit, tek trafikantët e drogës dhe trafikantët e grave dhe vajzave”, thotë ndër të tjera Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





